Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë dje në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të komunës së Istog, ku ka bërë homazhe në kompleksin memorial në fshatin Vrellë.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, Kurti gjithashtu ka ndarë mirënjohje gjatë organizimit sportiv “Istogu Trail”, i cili mbahet në nder të kësaj dite.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e 12 prillit si një datë historike për Istogun dhe Kosovën, duke përkujtuar 27-vjetorin e një prej betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, ku ranë dëshmorë disa pjesëtarë të UÇK-së.
Ai vlerësoi kontributin e dëshmorëve për lirinë e vendit dhe theksoi se aktivitetet sportive si “Istogu Trail” përfaqësojnë një mënyrë për të nderuar të kaluarën duke promovuar shëndetin dhe aktivitetin fizik.
Kurti përgëzoi organizatorët dhe garuesit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të merren sa më shumë me sport, ndërsa në fund shprehu respekt dhe lavdi për dëshmorët e kombit.