Istrefi: Punësimet e fundit me kontrata mbi vepër, kartelat gërvishtëse nxirren nga depot për t’i paguar punëtorët

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 13:45 | Nga Lirik Sylmeta Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, mori vendim për ndalimin e punësimeve në këtë ndërmarrje publike.

Por për të gjitha punësimet paraprake të cilat janë bërë në Telekomin e Kosovës, Istrefi thotë se janë me kontratë mbi vepër.

Mosha mesatare e punëtorëve në Telekom, sipas Istrefit, llogaritet të jetë 50-55 vjeçare. Kjo ka bërë që në këtë ndërmarrje të inkuadrohen njerëz të rinj.

Kryeshefi Istrefi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se është bërë zgjidhja për pagesën e punëtorëve. Sipas tij, kjo do të arrihet me anë të nxjerrjes në treg të kartelave gërvishtëse, të cilat kanë qenë në stoqe. Vlera e tyre është 10.6 milionë euro.

“I kemi nxjerrë prej depove një vlerë jashtëzakonisht të madhe monetare të ‘skretch’ kartelave apo mbushjeve gërvishtëse që kanë qenë në stoqe. Diku vlera e tyre që e kemi qitë në treg është 10.6 milionë euro. Duke e parë gjendjen aktuale, Telekomi i Kosovës, problemet, sfidat, telashet financiare e kemi pa si të rrugës që ne me këtë pilot-projekt t’i marrim stafin e ri për shkak se në Telekomin e Kosovës, edhe në raportet që i kemi dërguar MZHE-së dhe Qeverisë e përbërë kryesisht një staf diku 50-55 vjeçare”, ka thënë Istrefi.

Rritje të të hyrave në buxhetin e Telekomit, pritet të sjellë edhe implementimi i kodit shtetëror +383. Sipas Istrefit, ky kod, i mundëson Kosovës që të identifikohet si shtet, por edhe të sjellë rreth 900 mijë euro të hyra mujore.

Aktualisht Telekomi shfrytëzon komplet infrastrukturën e Monaco Telekomit.

“Implementimi i “country code’ i mundëson Kosovës që të identifikohet si shtet. Mirëpo jo vetëm kaq, Telekomi i Kosovës, prej implementimit të ‘country code’ arrin që vlera përafërsisht 900 mijë euro mujore t’i kthejë të hyrat të cilat nuk i ka pasur dhe nuk i ka ende për shkak që jemi duke e shfrytëzuar komplet infrastrukturën e Monaco Telekom”.

“Vlen të ceket se vendimin të cilin e kam marrë në momentin kur kam ardh si ushtrues detyre në këtë pozitë ka qenë jashtëzakonisht sfidues, për shkak që ne me obligim ligjor, me marrëveshje ndërkombëtare që ka pasur shteti i Kosovës me Brukselin dhe palën serbe, ndërprerja e çdo ‘country code’ të huaj në Kosovë të ndërpritet që nga 2016-ta deri më sot. Muajin e kaluar, ne vetëm e kemi marrë vendimin dhe e kemi ndërprerë dhe nuk ka më ‘country code’ të huaja”, ka bërë të ditur Istrefi për Ekonomia Online.

Istrefi ka folur edhe për çështje të tjera, si kontrata e mirëmbajtjes teknike, për të cilën Telekomi po synon që të bëhet nga kompania Nokia.

“Mundësia e lidhjes së një kontrate të mirëmbajtjes së sistemeve pasi që një kontratë e tillë e krijon stabilitetin e këtij degradimi të shërbimit të Telekomit të Kosovës që i ka sot dhe për të cilën sot, nëse e kemi atë mundësi të zgjedhjes teknike, ne jemi në gjendje që të ballafaqojmë të gjitha kërkesat e konsumatorëve në raport me shërbimet të cilat ne i ofrojmë”, ka thënë Istrefi për Ekonomia Online.

LEXO EDHE: Kryeshefi Ekzekutiv ndalon të gjitha punësimet, thotë se Telekomi do të rimëkëmbet

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Si është gjendja aktuale e Telekomit të Kosovës?

Istrefi: Një ndër sfidat me të cilat Telekomi i Kosovës ballafaqohet është pjesa e sistemeve teknike. Për momentin ka mbi 3 vjet që nuk kemi kontratë të mirëmbajtjes së operatorëve. Si pasojë e kësaj moskontrate të mirëmbajtjes me operatorin në fjalë, në këtë rast Nokian, ne ballafaqohemi me një degradim të shërbimeve aktuale që i kemi dhe që konsumatori e vëren këtë dukuri dhe është i pakënaqur me ofrimin e shërbimeve. Andaj e kemi vendosur si top prioritet që të zgjidhet sa më shpejt mundësia e lidhjes së një kontrate të mirëmbajtjes së sistemeve pasi që një kontratë e tillë e krijon stabilitetin e këtij degradimi të shërbimit të Telekomit të Kosovës që i ka sot dhe për të cilën sot, nëse e kemi atë mundësi të zgjedhjes teknike, ne jemi në gjendje që të ballafaqojmë të gjitha kërkesat e konsumatorëve në raport me shërbimet të cilat ne i ofrojmë. Duke parë rëndësinë e kësaj kontrate dhe përkrahjen e operatorit Nokia për përkrahje teknike dhe mbështetje teknike, ne i hapim rrugë Drejtorisë së Marketingut, e cila ka mundësi që të krijojë produkte të reja në mundësi të shitjes dhe që të jenë në trend me kohën. Pjesa e Drejtorisë Teknike është duke bërë një punë të shkëlqyer, duke pasur parasysh që qe tre vite ne nuk kemi kontratë të mirëmbajtjes.

EO: Pse ka munguar mirëmbajtja nga ky operator?

Istrefi: Ne vetëm kemi kontratë me operatorin në fjalë, mirëpo duke pasur parasysh që çdo herë ka pasur së pari një hulumtim i shërbimeve ku ne kemi nevojë që të kemi suport të tyre duke parë që teknologjia është duke avancuar jashtëzakonisht shpejt dhe në pamundësi të përcjelljes dhe problemi financiar me të cilat është ballafaquar Telekomi i Kosovës, kemi pasur oferta të ndryshme financiare të cilat në periudha të ndryshme kanë qenë të papërballueshme për Telekomin dhe si pasojë e tillë ka ardhë deri tek një neglizhencë e asaj që ka pasur mundësi të nënshkruhet një kontratë e tillë ndoshta para 2 vite e gjysmë. Në momentin kur kam ardhur unë këtu e kam gjetur këtë gjendje. E kemi identifikuar, e kemi marrë e kemi trajtuar dhe e kemi vendosur si top prioritet që duhet ta kryejmë medoemos dhe ta gjejmë mundësinë e financimit të kësaj kontrate që ka një vlerë jo të vogël dhe jo të përballueshme lehtë për Telekomin e Kosovës.

EO: Meqë një kontratë është e nevojshme si e tillë, a do të thotë së shpejti me një operator të mirëmbajtjes së atyre pajisjeve dhe mundësinë e vazhdimit të funksionimit më trendi të ri?

Istrefi: Ne në momentin kur i kemi identifiku këto sfida që ballafaqohet Telekomi i Kosovë, ne edhe kemi vendosë kontakte me aksionarin në këtë rast me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, i kemi adresu si kërkesa dhe probleme dhe e kemi ofru zgjidhjen e tyre e cila e mundëson një stabilizim të degradimit të shërbimeve të cilin e kemi, është bind Ministri i MZhE-së që kjo kontratë e tillë ka mundësi me kriju stabilitet, menjëherë kemi fillu me kërkesa për marrje të kredisë, mirëpo kemi shku në një proces kah banka botërore që të na financojë për projektet në fjalë, i kemi dërgu të gjitha projektet dhe kemi jep arsyeshmërinë e saj se ku do synojë të arrijë Telekomi i Kosovës, që ta rikthejë namin të cilin e ka pas në vitet mëhershme, pavarësisht që edhe tash është lider Telekomi i Kosovës, mirëpo me sfida jashtëzakonisht me sfida të mëdha të ballafaqohemi dhe për momentin në takimin të cilin e kam pas edhe me kryeministrin e Kosovës, që të krijohet një stabilitet brenda Telekomit të Kosovës, ai na ka mbështetë me një garancion bankar që ne telekomi i Kosovës do ta paguajmë vetë mirëpo për shkak që vlera është e madhe, është kërku prej bankave vendore që të kemi edhe një garancion nga qeveria e Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me ministrin e MZHE-së, edhe me kryeministrin dhe na kanë premtuar që do na mbështesin në kërkesat tona.

EO: Sa është vlera e borxheve të Telekomit dhe sa po shkakton kjo vështirësi për funksionim?

Istrefi: Ne e kemi paraparë si të domosdoshme një kredi për investimet të cilat pritet të bëhen në përkrahje teknike, mirëmbajtjen në këtë rast, në implementimin e “country code” dhe në implementimin e Ligjit të Përgjimit. Këto të trija janë jashtëzakonisht në interes edhe të Telekomit por edhe vetë të shtetit. Në takimet që kam pasur me kryeministrin e Kosovës, jam munduar edhe që ta paraqesë se sa është e rëndësishme është një kontratë e tillë dhe çka zgjidhë kjo probleme.

Implementimi i “country code” i mundëson Kosovës që të identifikohet si shtet, mirëpo jo vetëm kaq, Telekomi i Kosovës, prej implementimit të “country code” arrin që vlera përafërsisht 900 mijë euro mujore të i kthen të hyrat të cilat nuk i ka pas dhe nuk i ka ende për shkak që jemi duke e shfrytëzua komplet infrastrukturën e Monaco Telekomit dhe vlen të ceket se vendimin të cilin e kam marrë në momentin kur kam ardhur si u. d.në këtë pozitë ka qenë jashtëzakonisht sfiduese për shkak që ne me obligim ligjor, me marrëveshje ndërkombëtare që ka pas shteti i Kosovës me Brukselin dhe palën serbe, ndërprerja e çdo “country code” të huaj në Kosovë të ndërpritet që nga 2016-ta deri më sot, muajin e kaluar ne vetëm e kemi marrë vendimin dhe e kemi ndërprerë dhe nuk ka më “country code” të huaja dhe Telekomi i Kosovës nuk e përdorë asnjë Country Code të huaj, në këtë rast as të Monaco Telekomit por as të Telekomit të Serbisë, që e kemi pas, kështu që Telekomi i Kosovës sot identifikohet me Country Cod të vetin në gjithë botën, mirëpo për tu rikthyer këto të gjitha që ne i kemi identifikuar si të hyra shtesë që Telekomi i Kosovës mundet me i përfituar në baza mujore, arrihen tek 900 mijë euro fillestarja me mundësi të rritjes së kapacitetit të tyre që mund të shkon deri tek 1.8 milion mujore.

EO: Ju e përmendët që disa kredi investive që parashihen të përfundohen nga ana e Telekomit, ani pse ka pasur një garanci bankare nga qeveria e vendit, sa do të arrihet që Telekomi ti paguajë ato kredi që veç se i nevojitet për investime?

Istrefi: Ne jemi në fazën e procesit të marrjes së garancionit bankar dhe ende nuk e kemi marrë, jemi mundu që bashkërisht me ekipin ti identifikojmë dhe caktojmë si prioritete dhe mundësia e përballimit të pagesës së kësaj kostoje të kredisë për Telekomin e Kosovës është jashtëzakonisht e mundshme pasi që ne prej disa pagesave dhe obligimeve të mëdha që kemi pas operatorëve të mëhershëm, vetëm jemi në fazën përmbyllëse të tyre dhe si një kosto që e kemi paraparë mujore sillet dikund deri 320 mijë euro që për Telekomin është e përballueshme.

EO: Si i komentoni raportimet për punësime partiake në Telekomin e Kosovës?

Istrefi: Mua më vjen keq që opinioni publik jashtëzakonisht e ka marrë shqetësuese zhvillimet e fundit të cilat janë raportuar nëpër media. Unë në pozitën që tash e kam marrë në shkurt jam emëruar kryeshef ekzekutiv dhe kam gjet një gjendje çfarë e cekëm edhe më herët, me probleme dhe sfida, telashe të ndryshme të natyrës së sistemit të mirëmbajtjes. Pas incizimit të situatës dhe gjendjes ne e kemi pa, kemi marrë masa të trajtojmë mundësi, rrugë të gjejmë sepse muaji janar, shkurt është jashtëzakonisht sfidues për Telekomin e Kosovës, historikisht ka rënie të të hyrave dhe kemi bë një projekt i cili ka arrit me gjenerua të hyrat për me i mbuluar të gjitha shpenzimet operative. Po është e vërtetë, ka pas punësime edhe në kohën time sa kam qenë këtu, jemi mundu së paku me një projekt ku i kemi nxjerrë prej depove një vlerë jashtëzakonisht të madhe monetare, të skretch-kartelave apo mbushjeve gërvishtëse që kanë qenë në stoqe. Diku vlera e tyre që e kemi qitë në treg është 10.6 milionë euro. Duke e pa gjendjen aktuale, Telekomi i Kosovës, problemet, sfidat, telashet financiare e kemi pa si të rrugës që ne me këtë pilot projekt t’i marrim stafin e ri për shkak se në Telekomin e Kosovës, edhe në raportet që i kemi dërgu MZHE-së dhe Qeverisë e përbërë kryesisht një staf diku 50-55 vjeçare, në moshë mesatare në Telekomin e Kosovës dhe si i tillë pilot-projektin të cilin ne e kemi përgatitë ka qenë jashtëzakonisht sfiduese për këtë moshë ta qesim në treg dhe të bënë shitjen e këtyre mbushësve gërvishtëse.

Telekomi është duke e përballuar dhënien e pagave të tyre. Mirëpo, Telekomi obligimet të cilat i ka karshi operatorëve, në këtë rast të cilat janë trashëgua me vite pas vite, e ngrisin vlerën e obligimeve dhe si të tillë e vështirësojnë edhe problemin, edhe kryerjen e obligimeve të pagave. Duke pa të rëndësishme jashtëzakonisht gjendjen në të cilën ndodhemi jemi detyruar të gjejmë rrugë, mundësi e që këto vështirësi t’i tejkalojmë dhe ka qenë e vetmja mundësi që Telekomi i Kosovës ka pas aktualisht ka qenë nxjerrja e scratch kartelave prej depos që vlera e tyre totale arri diku 24 milionë. Mirëpo, ne i kemi identifiku që një vlerë 10.6 milionë euro ta qesim në treg dhe me këtë staf të ri që janë me kontratë mbi vepër, me puna dhe detyra specifike ta përfundojmë këtë projekt dhe në momentin kur përfundon ky projekt, përfundon edhe bashkëpunimi i Telekomit mes këtyre punëtorëve që janë me kontratë mbi vepër me kohë të caktuar dhe punë e detyra të caktuara. Kështu që ka qenë një pilot projekt dhe ky pilot projekt është duke vazhduar ende, presim që muajin e ardhshëm të përfundojë dhe të nxjerrim një analizë se sa ka pas rezultat, sa është i kënaqshëm projekti në fjalë që e kemi nxjerrë. Pavarësisht se zyrtarët tanë edhe të financave edhe të shitjes, janë duke bë një punë jashtëzakonisht të madhe, pasi që janë duke i bë barazimet dhe duke i nxjerrë statistikat çdo ditë. Kështu që ne jemi të kënaqur me këtë aktivitet që e kemi bë, për arsye që në të njëjtën kohë kemi arrit që këta dy muaj që kanë qenë jashtëzakonisht sfidues për Telekomin e Kosovës t’i përfundojmë të gjitha obligimet që i kemi pas karshi operatorëve dhe obligimet që i kemi pas karshi kolegëve tanë, punëtorëve të cilët me pagë nuk kanë pas asnjëherë problem dhe nuk besoj që do të kenë.

EO: Por punësimi i punëtorëve në Telekom, po bëhet për shkak të nevojës që ka ndërmarrja apo për t’i rehatuar militantët partiakë?

Istrefi: Unë thash, në momentin kur kam ardhë e kam bë së pari një incizim të situatës, gjendjes në të cilën jemi dhe kemi identifiku me stafin tim dhe menaxhmentin që ka nevojë me u mbështetë ky projekt i cili krijon mundësi të stabilizimit të të hyrave në këtë periudhë janar dhe shkurt. Mos të harrojmë se të gjitha procedurat ligjore jam mundu së paku me i përfillë, duke kërkuar nga të gjithë menaxherët regjionalë, nga gjithë drejtorët e njësive, një kërkesë, një arsyeshmëri. Secila komunë aty të mobilizohet dhe këtë projekt të cilin e kemi lansu ne për scratch kartela të jetë i kënaqshëm dhe të mbulohet edhe arsyeshmëria e asaj për çka po paguajmë një staf, për një kontratë mbi vepër me punë dhe detyra specifike. Kemi shprehë interes, kemi publiku nëpër media dhe në ueb faqen tonë. Interesimi ka qenë aq sa kanë apliku, mirëpo duke pa natyrën e saj, është për një kohë dhe detyra të specifikuara. Në momentin kur përfundon projekti, përfundon edhe angazhimi i tyre në Telekomin e Kosovës

Istrefi: Tek country kodet tentova ta shpjegoj implikimin financiar dhe çka përfiton Telekomi i Kosovës dhe çka përfiton shteti në këtë rast, si identifikohet si shtet dhe nuk identifikohet më me operatorët e tjerë, siç ishin identifiku deri më sot. Ndërsa te përgjimi ligjor implikon direkt interesat e sigurisë nacionale. unë edhe në kabinetin qeveritar jam munduar ta shpjegoj se sa është e rëndësishme për vetë shtetin e Kosovës përkrahja institucionale, në këtë rast e Qeverisë ndaj Telekomit, mos të harrojmë se brenda i kemi 2500 familje dhe mendimi që Qeeria e Kosovës mund t’i merr për mbështetjen e kërkesave tona për krijimin e stabilitet në Telekom është jashtëzakonisht e mirëseardhur prej gjithë punonjësve të Telekomit.

EO: Çfarë ndikon Ligji i Përgjimit?

Istrefi: Edhe te Ligji i Përgjimit direkt implikon në interesa të sigurisë kombëtare. Vlen të ceket se të gjitha shërbimet e përgjimit, sinjalin që e marrin Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit, të gjitha këto i kanë shërbimet e Telekomit të Kosovës. Çka nëse në një rast arrin të ndodhë një avari për shkak të kësaj përkrahje që ne ta kemi sa më shpejtë këtë kontratë që të fillojë procesi i mirëmbajtjes së sistemeve tona, çka do ndodhte? Nuk ka alarm më të madh se sa të rrezikohet interesat e sigurisë kombëtare. Ne i kemi identifiku dhe i kemi njoftu edhe komplet kabinetin qeveritar, edhe kryeministrin, kam pas takime edhe me shumicën e ministrave, i kam njoftu mbi gjendjen e Telekomit. Nuk po bëjnë zgjidhje vetëm për Telekomin e Kosovës dhe për 2500 familje por në të njëjtën kohë po bëjnë zgjidhje dhe po i mbrojmë interesat e sigurisë kombëtare, për çka kemi sakrifikua jashtëzakonisht shumë.

EO: Si i komentoni deklaratat e ministrit Lluka se Telekomi i ka dhënë jashtëligjshëm qasje kompanisë “Artillery One”?

Istrefi: Vlen të informohet gjithë opinioni publik, i gjithë stafi i Telekomi, deklaratat e zhvillimit ekonomik që menaxhmenti i Telekomit ka nënshkruar një marrëveshje me operatorin Artilery One për shkëmbim të informacioneve, vlen të theksohet, të sqarohet opinioni pasi ne ministrin e MZHE, Valdrin Llukën e kemi njoftuar edhe me shkresë zyrtare. Të gjitha procedurat deri te nënshkrimi i kësaj marrëveshje, një marrëveshje konfidenciale. Më datën 28.2.209 ne e kemi njoftu përmes shkresës zyrtare edhe ministrin Lluka, mirëpo për shkak të opinionit më duhet ta sqaroj se marrëveshjet e tilla prej momentit kur kam ardhë në pozitën e kryeshefit ekzekutiv e aplikoj te secili operator i jashtëm pavarësisht a është vendor a ndërkombëtar që dëshiroj të krijoj bashkëpunim me Telekomin, e detyroj me nënshkru një marrëveshje të tillë e cila nuk ka asnjë afekt ligjor, apo financiar mirëpo e cila na mbron mbi shkëmbimin e informatave apo qasjes e mundësisë së dhënies akces të informatave të Telekomit, në rast të keqpërdorimit dhe në informatë të Telekomit, mua më jepet hapësira, mundësia ligjore që ta padisë për dëmin që ka pas mundësi me na shkaktuar. Rasti konkret është kompania në fjalë që e kam nënshkruar këtë NDI e kam nënshkrua mbi bazën e takimeve që i kemi pas edhe në kabinetin qeveritar, edhe me kompaninë, edhe në bazë të sugjerimeve të tyre. Mirëpo, pres që në ditët në vazhdim të përcaktohet kufiri se deri ku mund të shkojmë ne me dhënie të informacioneve. Për opinionin publik vlen të ceket dhe informohet që asnjë informatë deri më tash nuk iu ka japë kompanisë në fjalë e as nuk i jepet deri në udhëzimet e radhës nga MZhE-ja.

Të ngjashme