Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe ish-komandant i Zonës së Karadakut, Ahmet Isufi, në emisionin ‘Kosova Voton’, ka folur për mosmiratimin e Ligjit për Vlerat e Luftës.
Isufi deklaroi se iniciativa është përkrahur në parim edhe nga AAK-ja.
“Iniciativa është përkrahur në parim edhe nga AAK, mirëpo duhet një bashkim nga forcat politike që ta bëjnë një ligj i cili përcakton drejtpërdrejtë këtë vlerë mbrojtjen e saj dhe jo të ketë anime politike”, tha ndër tjerash Isufi.
Isufi tutje tregoi se Aleanca e ka krijuar qysh në kohën e qeverisë së Haradinaj, departamentin e parë për vlera të luftës dhe siç thotë e di me sa përpjekje është bërë.
“Janë bërë edhe ligjet për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët. Por, një ligj për mbrojtjen e vlerave duhet të jetë universal në kuptimin e një bashkimi politik të forcave politike që s’kanë interesa të ngushta poltike ose që pretendim për ta bartur si pronë të vetën”, tha Isufi në T7.
Më tej, ai u shpreh se duhet të ketë vullnet politik të forcave politike duke e tejkaluar vetveten, për t’i dhënë vërtetë kësaj vlere vendin e merituar.
“AAK, edhe kur u bo iniciativa ka qenë menjëherë pro pa asnjë hezitim, njëfarë mënyre për vlerën më kapitale për vendin tone”, theksoi Isufi.
Isufi më tej tha se çështja duhet të bartet në histori sepse kanë kaluar 21 vjet dhe nuk ka nevojë që më të thirremi në një vlerë e cila është e krejt popullit, ne kemi nevojë për të bërë këtë vlerë sa më sublime.
“Prandaj po them edhe në programin tonë ekziston një qasje shumë progresive sa i përket vlerave të luftës sepse konsiderojmë që duhet si vlerë kapitale e vendit të vlerësohet si e tillë”, tha ai.