AAK-ja: Ramushi e meriton të jetë Shef i Shtetit, e ndali ndarjen e Kosovës

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Veç në AAK po e përmendin se Ramush Haradinaj duhet të bëhet Shef i Shtetit. I fundit që ka folur është Ahmet Isufi, i cili ka thurur lavde se si Haradinaj është lider që i duhet Kosovës pasi ndali ndarjen e vendit. Ai ka thënë se udhëheqësi i Aleancës nuk i interesojnë vetëm marrja e postit por ka synim t’i shërbejë vendit.

Ahmet Isufi, Nënkryetar i AAK’së, ka zgjedhur 28 Nëntorin, t’i rendisë argumentet e tij pse Ramush Haradinaj duhet t’ia zë vendin e lënë zbraztë nga Hashim Thaçi.

Isufi ka argumentuar se lideri i AAK’së duhet të ngjitet në krye të shtetit sepse ndali procesin e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës. Një proces i tillë ishte diskutuar nga ish-Presidenti Thaçi, i cili nga janari i vitit 2018 e kishte lansuar idenë e korrigjimit të kufijve. Tash, Thaçi është në Hagë duke u ballafaquar me akuza për krime lufte.

“Di të ndalë edhe procese të dëmshme për Kosovën siç ka qenë rasti edhe me tentimin e korrigjimit të kufijve apo të ndarjes së Kosovës”, ka thënë Ahmet Isufi, në një intervistë partiake e realizuar nga faqja e FB të AAK’së.

Ramush Haradinaj ishte nominuar nga AAK’ja për pozitën e Presidentit ende pa iu konfirmuar aktakuza Hashim Thaçit.

Kundër propozimit të AAK’së deri tash kanë dalë PDK, LDK dhe Vetëvendosje.

Por, Partia e Haradinajt i ka votat vendimtare për votimin e një Presidenti kushdo prej partive që merret vesh për këtë pozitë.

PDK dhe LDK nuk kanë vota të mjaftueshme, 80 deputetë, pa i siguruar edhe votat e Partisë së katërt në Kosovë.

Në këtë situatë, Ahmet Isufi, thotë se Haradinaj nuk synon pozitë por po kërkon pozitë për t’i ndihmuar shtetit.

“Ramush Haradinaj është më i përshtatshmi për të pasë këtë post në këtë situatë të ndërlikuar dhe delikate. Kjo nuk është vetëm në shërbim të një grupacioni, por ky është shërbim i atdheut në një përgjegjësi shumë të lartë. Unitetin e krijon njeriu që mund të jepe më shumë nga vetvetja se sa të interesohet vetëm për një post sepse e kemi parë se Ramush Haradinaj ka treguar se është i vërteti dhe i domosdoshmi për momente të caktuara”, ka shtuar Isufi.

Aktualisht, ushtruese e detyrës së Presidentit është Vjosa Osmani, një përkrahëse e politikave të VV’së dhe Kurtit derisa ka dalë edhe kundër LDK’së dhe veprimeve të Isa Mustafës.

Deri më 5 mars ka kohë të votohet Presidenti në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës, ka thënë se nëse nuk gjendet një emër për President atëherë opsioni i vetëm janë zgjedhjet. Isa Mustafa ka paralajmëruar për javën e ardhshme një tryezë të partive politike për të folur për emrin e ri të Shefit të Shtetit.

Vetëvendosje ka kërkuar se pari zgjedhje të reja e pastaj votim të Presidentit. Enver Hoxhaj i PDK’së ka thënë se partia e Kadri Veselit s’ka vota për asnjë kandidat tjetër për President përpos të partisë së tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme