Italia dëbon dy vëllezër shqiptarë, bashkëpunuan me ISIS-in

Prishtinë | 09 Kor 2017 | 17:43 | Nga

Baza e ISIS-it ishte në Foxhia, në një qendër të vogël kulturore prej nga terroristi çeçen Eliv Bombataliev përgatitej të organizonte një masakër të re – ndoshta në Belgjikë. Bashkë me të, në qendrën kulturore takoheshin dy vëllezër shqiptarë, të cilët, sipas njësive italiane të antiterrorit, po afroheshin me Xhihadin dhe luftën e armatosur kundër perëndimorëve të pabesë.

Të dy vëllezërit, siç i rezulton Shqiptares.com, janë Orkid Mustaqi 26 vjeç, dhe Lusien Mustaqi 23 vjeç, të dy me origjinë nga një fshat afër Lushnjës, por që banonin bashkë me prindërit në qytetin e Potenzas.

Orkid dhe Lusien Mustaqi nuk kishin asnjë precedent penal në Itali. Njëri studionte në Universitetin e Foxhias dhe tjetri punonte në fabrikën e FIAT-it në Melfi. Të dy kishin leje qëndrimi.

Gjithçka nisi pas takimit të tyre me Eliv Bombatievin, që jetonte prej disa vitesh në Itali dhe kërkonte aty myslimanë të rinj për t’i rekrutuar në Xhihad. Në një përgjim telefonik, policia italiane dëgjoi babanë e Orkidit t’i thotë djalit të tij: “Me sjelljen tuaj, shpejt a vonë policia do vijë t’u marrë”. Sipas hetuesve italianë, marrëdhënia mes dy vëllezërve shqiptarë dhe terroristit çeçen ishte “shumë më tepër se sa një miqësi e thjeshtë”.

Të tre rrinin shpesh bashkë, flisnin vazhdimisht në telefon (italisht) dhe kur Bombatievi vinte në Foxhia, si pikë referimi kishte pikërisht vëllezërit shqiptarë dhe qendrën kulturore, çelësat e së cilës i mbanin Orkidi dhe Lusieni.

Dy vëllezërit u ndaluan në mëngjesin e datës 5 korrik 2017. Ndërkohë që miku i tyre Eliv Bombatiev dërgohej në burg me urdhër të Prokurorisë së Barit, ata dëboheshin nga Italia drejt Shqipërisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme