Në shikim të parë, fitorja 5:0 e Italisë ndaj Lihtenshtajnit të renditur në pozitën e 182-të në renditje të FIFA-s nuk ishte ndonjë rezultat që ia vlen të merret shënim.
Por, fitorja e së martës mbrëma në Vaduz, shënoi një moment historik për një skuadër që i është nënshtruar një transformimi radikal në 17 muaj, qëkur Roberto Mancini ka marrë postin e seleksionuesit, shkruan Reuters.
Ishte fitorja e nëntë rresht e Italisë, një seri që ka barazuar rekordin e përfaqësueses së Italisë të vendosur nga skuadra e madhe e Vittorio Pozzos 80 vjet më herët, transmeton Koha Ditore.
“Barazimi i rekordit të Vittorio Pozzos është gjë e mirë, por më para do të preferoja të barazoja rekordin e tij të fitimit të dy Kupave të Botës”, tha Mancini pas ndeshjes.
Kjo gjë mund të jetë e vështirë për t’u arritur tash për tash, por ish-trajneri i Manchester Cityt i ka dhënë publikut italian shumë optimizëm dhe po ashtu statistika mbresëlënëse.
Fitorja 2:0 e Italisë ndaj Greqisë në “Stadio Olimpico” në Romë ka siguruar kualifikimin në Evropian për Italinë tri ndeshje pa përfunduar cikli.
Ishte kualifikimi më i hershëm që kishte arritur Italia ndonjëherë, ndërsa pamja e Grupit J pas fitores në Lihtenshtajn të martën e ka bërë publikun italian edhe më të lumtur.