“Ende i kam në mendje fjalët tuaja në funeralin e Presidentit Rugova: ai vdiq pa e parë të realizuar ëndrrën e tij, Kosovën e çliruar dhe të pavarur”, i tha zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, mysafirit të tij, ish-kryeministrit italian të kohës së luftës së Kosovës, Massimo D’Alema.
D’Alema, mysafir i ministrit, e falënderoi kryediplomatin kosovar për mikpritjen dhe i tha se “fati e ka dashur, që ai të jetë protagonist në dy ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës– lufta për çlirimin e saj, dhe si ministër i jashtëm drejtoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur u mor në shqyrtim hipoteza e pavarësisë së saj”.
Pacolli kujtoi momentet e organizimit të fushatës mediatike kundër pastrimit etnik serb, në vitin 1999 apo dhe ndihmës humanitare për kampet e të shpërngulurve në Shqipëri, në Mal të Zi, etj.
Ish-kryeministri D’Alema vlerësoi progresin e Kosovës në vitet e fundit.
Midis dy politikanëve më pas u diskutua për bashkëpunimin e Kosovës me Italinë dhe rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi, duke konsideruar “emrin e mirë të Italisë, të shoqërisë, të institucioneve, të kontingjentit italian brenda KFOR-it, tek popullsia civile, etj.”
Duke diskutuar për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ish-kryeministri D’Alema tha se “shumë hije të së kaluarës do të zhduken me një marrëveshje të drejtë të Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.”
Më pas, Pacolli dhe ish-kryeministri italian D’Alema përshkruan shëtitoren “Nënë Tereza”, në këmbë.
Ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Italisë, Massimo D’Alema po qëndron sot dhe nesër në Kosovë, me ftesë të kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai, konsiderohet si njëri nga politikanët më jetëgjatë në Itali: afro 30 vjet deputet, drejtues i një partie të rëndësishme dhe sot është konsulent ndërkombëtar i profilit të lartë.