Italia lejon zbarkimin e fëmijëve të imigrantëve nga anija që s’po lejohet në port

Prishtinë | 18 Gus 2019 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Ministri i brendshëm italian i së djathtës ekstreme, Matteo Salvini, ka dhënë leje për zbarkimin e 27 fëmijëve të imigrantëve nga anija që nuk po lejohet të ndalet në portin e Lampeduzas dhe po endet nëpër det për disa ditë me radhë.

Përmes një letre dërguar kryeministrit Giuseppe Conte, Salvini tha se do ta autorizojë largimin e të miturve nga anija “Open Arms”, pavarësisht se ky vendim është në kundërshtim me pikëpamjet e tij.

Sidoqoftë, 105 persona të rritur dhe dy fëmijë që janë të shoqëruar nga prindërit do të jenë të detyruar të qëndrojnë në anije, ndonëse organizata që e menaxhon anijen tha se kushtet në të janë të papërballueshme për të qëndruar më gjatë.

Ka pasur shumë mosmarrëveshje mes drejtuesve të anijeve të imigrantëve dhe ministrit italian kohëve të fundit. Megjithatë, përplasja për këtë anije duket se është pjesë e një krize politike që rrezikon ta zhbëjë qeverinë qendrore.

Salvini, i cili gjithashtu është zëvendëskryeministër, është bërë figurë e popullarizuar përmes politikave të rrepta kundër imigrantëve dhe azilkërkuesve. Ai vitin e kaluar hyri në koalicion qeverisës me lëvizjen “Pesë Yjet” të Luigi Di Maio-s.

Marrëdhëniet mes politikanëve janë ftohur që nga java e kaluar, kur Salvini vendosi të largohet nga koalicioni me shpresën se do ta rrëzojë qeverinë, shkruan “The Guardian”.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme