Italianët ndajnë 3 milionë euro për përmirësimin shërbimeve në Kardiokirurgji

Prishtinë | 18 Kor 2018 | 16:15 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është nënshkruar marrëveshja kontraktuese mes Spitalit Pediatrik “Meyer” të Firences, përfaqësues i një grupi të spitaleve italiane dhe ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për forcimin e aftësive profesionale të personelit shëndetësor të repartit të Kardiokirurgjisë në QKUK.

Ambasadori i Italisë, Piero Sardi, tha se objektiv i këtij projekti 3 milionë eurosh është forcimi dhe përmirësimi shërbimeve të kardiokirurgjisë, raporton Ekonomia Online.

“Është një projekt që ka vlerë mbi 3 milionë euro për të mbështetur përmirësimin e shërbimeve dhe për t’i bërë të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Në brendësi të prioriteteve është forcimi i kapaciteteve të kardiokirurgjisë me një aktivitet të trajnimit të stafit mjekësor”.

Sardi tha se këtë po e bëjnë që të mbështesin Kosovën në Integimin Evropian, sidomos në sistemin shëndetësor.

“Projekti italiano-kosovar është i rëndësishëm, sepse ka të bëjmë me aspektet që janë finalizuar për të aplikuar rregullat që janë në përputhje me standardet e BE-së”.

Ministri Uran Ismaili u shpreh se sot është ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për shëndetësinë në Kosovë. Ai deklaroi se edhe ky sektor duhet të arrijë nivelet e shërbimit që ka Evropa.

“Ky projekt ndihmon, sepse sjell diturinë nga qendra të rëndësishme te mjekët tanë, duke u mundësuar të ngrisin shkathësitë përmes punës praktike dhe të arrijmë të shërbimet me kualitet më të lartë se që i kemi”.

“Sektori i shëndetësisë ka nevojë për ndryshim, financim dhe fokus më të madh. Çka është më e rëndësishmja, ka nevojë edhe për bashkëpunim ndërkombëtar”.

Përfaqësuesi i zyrës së AICS-së në Tiranë, Salvatore Ficara, vlerësoi se kjo është iniciativë e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve të kardiokirurgjisë.

“Ne kemi qasjen e sistemit, e cila ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve që parasheh investime kapitale, ofrimin e pajisjeve. ICS në programonin e tij tre vjeçar thekson rëndësinë e qasjes në shërbime shëndetësore. Pra, edhe qasja në shërbime te ndryshme kardiokirurgjike është në këtë qasje.

Drejtori i spitalit “Meyer” të Firencës, Alberto Zanobini, deklaroi se ky bashkëpunim do të thotë edhe afrim mes stafeve të spitaleve, por edhe investim në miqësinë mes dy popujve.

“Spitali Meyer është një nga spitalet pediatrike më të rëndësishme. Mendoj se do të sjellë fryte në shëndetësinë e fëmijëve dhe qytetarëve” theksoi Zanobini.

Siptali “Meyer” është i nivelit të tretë me buxhet 7 miliardë euro. Ky spital ofron specializime të pediatrisë dhe kardiokirurgjisë.

Të ngjashme