IuteCredit e dërgon në Arbitrazh shtetin e Kosovës, mobilizohen institucionet

Prishtinë | 26 Tet 2020 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Institucioni mikrofinanciar, IuteCredit, ka dërguar në arbitrazh shtetin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se dikasteri të cilin ai e drejton, do t’i ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm ligjor lidhur me çështjen.

“Avokati i Shtetit kërkon që sa më shpejt të merret vendimi për procedurat në mënyrë që afatet ligjore të Tribunalit të mos na ndëshkojnë. Askush nuk mund të përfitojë duke dëmtuar qytetarët, por as duke shkelur ligjin që është në fuqi.”, ka shkruar Selimi në Facebook.

Muaj më parë, Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që të mbyllë dy institucione mikrofinanciare, ndër to IuteCredit, shkruan reporteri.net.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, pati treguar sesi “Iute Credit” dhe “Monego” kanë shfrytëzuar kushtet e vështira financiare të kosovarëve, duke aplikuar kredi të shpejta me norma të pabesueshme të interesit.

Veprimtaria e tyre në këtë formë ka vazhduar deri tash, përkundër gjobave të shqiptuara dhe urdhërit të dhënë nga BQK-ja.

Ka pasur raste kur norma e interesit ka shkuar deri në 1000%.

Sipas vlerësimit të guvernatorit, veprimtaria e këtyre dy institucione mikrofinanciare ka rrezikuar stabilitetin financiar në Kosovë.

https://www.facebook.com/selimselimiks/photos/a.115919203475866/181167570284362/
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme