Në Kuvendin e Maqedonisë, para deputetëve ka folur presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov.
Gjatë kësaj seance, të pranishëm janë edhe ambasadorë të huaj të akredituar në vend.
Ivanov edhe kësaj radhe përmendi “platformën e Tiranës” për të cilën tha se u shndërrua në një krizë kushtetuese.
“Ligji për gjuhën shqipe po cenon karakterin unitar të shtetit”, tha Ivanov, raporton Koha.net.
“Mandatin e kam dhënë vetëm pasi u dhanë garanci me shkrim, për mbrojtjen e integritetit të vendit. Kriza e gjatë politike u reflektua edhe në ekonomi. Në raste se para një kohe ishim të parët në rajon sa i përket fushës së ekonomisë, tani jemi të fundit”, tha Ivanov.
Ivanov gjatë fjalimit shprehu shqetësimet e tij edhe rreth gjendjes me ndotjen e ajrit. Ai pati kritika për mediat, sipas të cilit derisa kanë raportuar për zhvillimet e 27 prillit, kanë shkruar lajme të rrejshme, kinse Ivanov ka dashur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Përmes këtyre lajmeve, sipas Ivanovit, i është shkaktuar një dëm i madh imazhit të shtetit.
“Është e domosdoshme lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Nga ana tjetër burgjet tona janë të stërmbushura, derisa kushtet atje janë të mjerueshme”, tha Ivanov.
Gjatë fjalimit Ivanov, kërkoi edhe pavarësi për gjyqësorin.