Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka reaguar pas nënshkrimit të Ligjit për Gjuhët nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Ai e ka quajtur shkelje kushtetuese shpalljen e këtij ligji në Gazetën Zyrtare.
Sipas Ivanovit, pas kësaj shpalljeje duhet të ketë ndjekje penale.
Është nënshkruar Ligji për Gjuhët në Maqedoni
“Mbrëmë vonë kishim mundësinë që të shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeveritarë të LSDM-së dhe BDI-së, koalicion që veten e quan pro-evropian. Shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare dhe të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës pa dekretin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë është jo-kushtetues. Me dërgimin e këtyre dy ligjeve në Gazetën Zyrtare është shkelur Neni 75 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, derisa shpallja e ligjeve është bërë në mënyrë joligjore dhe paraqet bazë për ndjekje penale”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Kabineti i Ivanovit.
“Alsat” raporton se në letër është theksuar se “tash është momenti që të tregohet a ka në Maqedoni Gjykatë Kushtetuese dhe a funksionon Prokuroria”.
“Pyetem se vallë përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtar, të cilët e mbështesin këtë koalicion qeveritarë do të paraqiten dhe do ta mbështesin këtë mënyrë të sjelljes së ligjeve? Do t’i mbështesin vallë këto shkelje që sjellin pasoja të paparashikueshme dhe cenojnë shtetin e së drejtës dhe se vallë kësillojë shkeljesh zbatojnë në shtetet e tyre?”, thuhet në reagimin e tij.