Pandemia Covid-19 përveç pasojave në gjendjen fizike të popullatës ka shkaktuar edhe dëmtime të shëndetit mendor, thonë ekspertët e kësaj fushe për Ekonomia Online.
Sipas tyre, pasojat do të manifestohen edhe në të ardhmen, kjo për shkak të izolimit një kohë të gjatë.
Psikiatri Ferid Agani, në një bisedë për Ekonomia Online, ka folur për pasojat e Covidit në shëndetin mendor, duke shtuar se ndikimet më të mëdha kanë qenë nga izolimi social.
Sipas tij, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo traumë e re do ta gjejë popullatën më të rënduar, andaj është e rëndësishme që të konsultohet me kohë psikologu.
Ish-ministri i Shëndetësisë shtoi se me rritjen e rasteve duhet kujdes i shtuar veçanërisht për kategoritë e caktuara të popullatës të cilët janë më të ndjeshëm ndaj këtij virusi siç janë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
“Sa i përket ndikimit të Covidit në shëndetin mendor të popullatës atëherë përfundimisht ky ndikim ka qenë tejet i madh në shumë aspekte të veprimit, duke filluar nga izolimi social për më shumë se dy vjet. Mendoj se ka qenë një hap shumë i gabueshëm me pasoja tepër të rënda për shëndetin mendor të popullatës”.
“Megjithatë duhet kujdes veçanërisht kategoritë e caktuara të popullatës të cilët janë më të ndjeshëm ndaj këtij virusi po flas për persona të moshuar, ata që kanë sëmundje kronike.
Qytetarët duhet të kenë parasysh se e gjithë situata e pandemisë ka rënduar dukshëm gjendjen e shëndetit mendor të tyre”.
“Dhe ata duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo traumë e re, çdo stres i ri i cili vjen përballë dhe na pret. Inflacioni, çmimet në rritje, kriza energjetike të cilat mund të ballafaqohemi do të na gjejnë më të dobët, më të rënduar dhe më të ndjeshëm dhe ne mund të zhvillojmë simptoma të çrregullimit mendor shumë më shpejt. Dhe është me rëndësi që ato të hetohen me kohë veçanërisht kur janë në pyetje çrregullimet e ankthit. Kur hetohen këto çrregullime menjëherë duhet të shikohet mundësia që të konsultohet eksperti, psikologu ose psikiatri dhe natyrisht edhe mjeku familjar në mënyrë që këto probleme të kontrollohen nëse i ballafaqojmë sa më herët”, tha Agani.
Neuropsikiatri Sami Rexhepi tha se qytetarët nuk i kanë marrë me seriozitet pasojat e Covidit sa i përket shëndetit mendor, e kjo sipas tij, ka bërë që të rritet niveli i ankthit.
Sipas tij, pasojat afatgjate që do të manifestohen edhe pas pandemisë janë çrregullimet pas stresit tramuatik, raporton EO.
“Si shoqëri nuk i kemi marrë me seriozitet pasojat e covidit sa i përket shëndetit mendor. Një pjesë është si pasojë e përjetimeve të popullatës gjatë kësaj periudhe. Një pjesë e madhe ka që kanë humbur të afërmit në këtë betejë me Covidit. Një numër tjetër kanë humbur punën. Një pjesë e tyre ka qenë frika prej sëmundjes. Të gjitha këto kanë ndikuar që të rritet niveli i ankthit në popullatë. Ne mundemi me u kujdes për pamjen dhe shëndetin fizik mirëpo jo edhe për emocionet tona”.
“Një pjesë e tyre nuk kanë kërkuar ndihmë profesionale për ankthin. Ajo çka është brengosëse se cilat do të jenë pasojat sepse është një luftë që popullata po përballet që 3 vjet. Do të ketë pasoja edhe në çrregullimin pas stresit postraumtaik që ka ecuri kronike dhe do të vazhdojë për shumë gjatë. Pasojat afatgjate janë pasoja që do të manifestohen një kohë të gjatë dhe të disa më vonë edhe pas pandemisë janë çrregullimet pas stresit tramuatik”, tha Rexhepi.