Izraeli ka akuzuar forcat iraniane të vendosura në Siri, se kanë orkestruar sulmet më të rëndë me raketa nga Gaza gjatë këtij muaji.
“Raketat janë hedhur kundër Izraelit… ne e dimë se urdhrat janë dhënë nga Damasku dhe ka përfshirje të qartë të Forcls Quds të Gardës Revolucionare Islamike”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Johanthan Conricus.
Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë dëshmi për këto pretendime.
Sulmet me raketa të hedhura nga Rripi i Gazës për në territorin e Izraelit më 26 dhe 27 tetor, shkaktuan sulme hakmarrëse ajrore të Izraelit kundër Gazës.
Sulmet erdhën vetëm disa orë pasi gjashtë palestinezë u vranë gjatë përplasjeve në kufirin Gaza-Izrael.
Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë qenë në këtë rajon qe disa javë, duke u përpjekur që ta ruajnë qetësinë.
Por, më 27 tetor, një grup i xhihadistëve islamikë palestinezë tha se është pajtuar që të ndalojë sulmet me raketa ndaj Izraelit, si pasojë e përpjekjeve të egjiptianëve për të siguruar qetësinë në këtë rajon.
Daoud Shehab, zëdhënës i këtij grupi, tha se ata menjëherë kanë ndaluar sulmet me raketa.
“Është arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e armëpushimit, e cila hyri menjëherë në fuqi, në këmbim të ndalimit të agresionit izraelit”, tha ai.
Ende nuk ka asnjë reagim nga Izraeli lidhur me armëpushimin.