Izraeli do të mbajë zgjedhjet më 2 mars nëse nuk formohet qeveria

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Dy partitë më të mëdha në Izrael janë pajtuar të hënën që të mbajnë zgjedhjet e reja më 2 mars, nëse nuk arrihet marrëveshje për formim të qeverisë së re.

Periudha 21-ditore gjatë së cilës parlamenti mund të nominojë një parti për të formuar koalicion qeveritar do të skadojë të mërkurën, dhe nëse nuk arrihet pajtueshmëri, legjislatura aktuale duhet të shpërndahet dhe të mbahen zgjedhje brenda 90 ditëve.

Nëse mbahen, këto do të jenë zgjedhjet e treta në Izreal në më pak se një vit.

As kryetari i partisë Likud, Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij, ish-shefi ushtarak, Benny Gantz, nuk kanë fituar numër të mjaftueshëm të ulëseve për të krijuar qeverinë.

Të dy kanë dështuar të formojnë qeverinë, duke hedhur topin në parlament.

Mosmarrëveshjet politike dhe hetimet afatgjata për korrupsion kanë kërcënuar pozitën e Netanyahut për të qëndruar në pushtet.

Muajin e kaluar, Netanyahu, 70-vjeçar është akuzuar për shkelje të besimit dhe mashtrim.

Teksa ka mohuar çfarëdo keqbërje, ai ka akuzuar autoritetet ligjore të Izraelit për tentim të krijimit të puçit, me qëllim të rrëzimit të tij nga pushteti.

Kritikët kanë supozuar se Netanyahu është duke tentuar që të minojë sundimin e ligjit dhe të paraqesë veten si viktimë e komplotit “të thellë” të shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme