Izraeli do të vazhdojë të godasë objektivat e Hezbollahut kudo në Liban, duke përfshirë kryeqytetin e vendit Bejrut, ka thënë kryeministri Benjamin Netanyahu.
“Ne do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun pa mëshirë kudo në Liban – përfshirë Bejrutin”, citohet të ketë thënë ai në bazën stërvitore të Brigadës Golani të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një video të publikuar nga zyra e shtypit e qeverisë së vendit.
Kjo bazë stërvitore u godit të dielën në mbrëmje nga një dron i Hezbollahut i nisur nga Libani jugor, duke vrarë katër ushtarë izraelitë dhe duke plagosur më shumë se 60 njerëz.
Netanyahu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e katër ushtarëve izraelitë të vrarë në sulmin e së dielës, duke shtuar se do të vizitojë ata që u plagosën.
“Së bashku me gjithë kombin, lutem për shërimin e tyre të shpejtë… Ne po vazhdojmë të luftojmë. Ne po paguajmë një çmim të dhimbshëm, por kemi arritje të konsiderueshme të cilat do të vazhdojmë t’i bëjmë”, tha ai.
Deklaratat e Netanyahut vijnë pasi CNN mësoi se sulmet izraelite në Bejrut u ndërprenë ditët e fundit mes “mirëkuptimeve” në rritje midis zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, sipas një burimi të njohur me këtë çështje.
Dy sulme izraelite vranë të paktën 22 persona dhe plagosën më shumë se 100 të enjten në Bejrut.
Që atëherë, nuk ka pasur asnjë sulm në kryeqytetin libanez, megjithatë ato kanë vazhduar diku tjetër, veçanërisht në jug të vendit.