Izraelitët të apasionuar çmendurisht pas futbollit janë irrituar së tepërmi këtë të mërkurë, pasi mësuan anulimin e papritur nga ana e Argjentinës të miqësores testuese përpara Botërorit, për shkak të protestave të palestinezëve, teksa disa prej udhëheqësve të vendit hebre kanë akuzuar Lionel Messin dhe shokët e tij se janë dorëzuar përpara terrorizmit.
Izraeli priste me padurim zhvillimin e miqësores, biletat për të cilin ishin shitur që të gjitha, të parashikuar të luhej mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Teddy Kollek” të Jeruzalemit, e sigurisht edhe ardhjen e disa prej futbollistëve më të mirë të botës.
Argjentina është një prej skuadrave kombëtare më popullore mes izraelitëve, e fansat po përpiqeshin të shfrytëzonin çdo rast për t’u takuar me Messin nga shumë pranë.
Por, pas një fushate të ashpër të palestinezëve, që përfshiu foto të fanellave bardhekaltër argjentinase të lyera me gjak, e gjithashtu edhe kërcënime për të djegur posterat e Messit, Federata argjentinase e Futbollit njoftoi anulimin e miqësores.
“Në fund të fundit bënë gjënë e duhur. Kjo është për të mirën tonë”, tha sulmuesi argjentinas, Higuain. “Shëndeti dhe mirëkuptimi vijnë para së gjithash. Ne mendonim se nuk ishte e drejtë të shkonim atje”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i telefonoi presidentit argjentinas, Mauricio Macri për ta nxitur të ndërhynte e të mos dorëzohej.
“Është fatkeqësi që ‘kalorësit’ e futbollit argjentinas nuk i rezistuan presionit të nxitësve të urrejtjes ndaj izraelitëve, objektivi kryesor i të cilëve është të dëmtojnë të drejtën tonë themelore për vetëmbrojtje dhe për të shkatërruar Izraelin”, tha ministri i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman. “Ne nuk gjunjëzohemi përballë një tufe mbështetësish terroristë dhe antisemitë”.
Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin tha se ky ishte një mëngjes i trishtë për tifozët izraelitë të futbollit, përfshi edhe nipërit e tij. “Por, ka disa vlera që janë më të mëdha edhe sesa Messi. Politizimi i lëvizjes së argjentinasve më shqetëson tej mase”, tha ai.
Ndërkohë, krerë të opozitës akuzojnë ministrin izraelit të Sporteve se e politizoi këtë shfaqje sportive, duke këmbëngulur ta zhvendoste zhvillimin e ndeshjes nga Haifa në Jeruzalemin aq shumë të kontestuar.
Izraeli e pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe e aneksoi atë pjesë të qytetit në një lëvizje të panjohur ndërkombëtarisht. Izraeli e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytet të hebrenjve, ndërsa palestinezët kërkojnë që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm palestinez.