Më 1 shtator toka do të ketë një ‘takim’ të ri me një trup qiellor. Bëhet fjalë për asteroidin 3122 Florence, një prej më të mëdhenjve që i afrohet planetit të tokës.
Megjithatë ai nuk është i rrezikshëm. Me një diametër prej 4.4 kilometrash, asteroidi do të kalojë rreth 7 milionë kilometra larg tokës, me saktësisht 18 herë sa distanca e tokës me hënën.
Por ky do të jetë vetëm takimi i parë, pasi në tetor, një tjetër asteroid 2012 TC4 do t’i afrohet planetit tonë. Veçantia e 3122 Florence qëndron tek masa e tij.
Siç bëjnë të ditur ekspertët e NASA-s, edhe pse shumë asteroidë kanë kaluar më pranë tokës, ata kanë pasur dimensione më të vogla.
Florence është asterodidi më i madh që i afrohet kaq shumë tokës, që kur ka hyrë në funksion programi i NASA-s për gjurmimin e këtyre objekteve. Fenomeni do t’i japë mundësinë shkencëtarëve ta studiojnë atë më nga afër.