BE-ja kërkon transparencë në amandamentimin e Ligjit për RTK-në

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 15:31 | Nga

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së është e brengosur rreth mungesës së transparencës në hartimin e amandamenteve të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe miratimin e propozim-amandamenteve nga Komisioni parlamentar për media pa praninë dhe pa diskutime publike.

BE-ja bën thirrje që Kuvendi të lejojë publikun e interesuar për të marrë pjesë në debatin mbi amandamentimet në pajtim me parimet e qeverisjes së mirë, Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) në mes Kosovës dhe BE-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane si mjet për implementim të MSA-së.

“BE-ja është e inkurajuar se përkundër vonesës së konsiderueshme, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë vendosur të përmbushin dispozitat e ligjit mbi RTK-në të vitit 2012 të cilat përcaktojnë se zgjidhja rreth financimit të RTK-së duhet të gjendet fillimisht përmes abonimit dhe burimeve të tjera të pavarura të financimit (neni 21)”.

“Megjithatë, BE-ja është informuar se buxheti i shtetit do të mbetet burim i rëndësishëm, nëse jo de facto primar, i financimit të transmetuesit publik, që mund të dëmtojë pavarësinë afatgjate editoriale dhe financiare të RTK-së, veçanërisht në një situatë ku nuk dihet se si mbledhja e tarifës së parapagimit është e rregulluar”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

BE-ja po ashtu i bën thirrje Kuvendit, si përfaqësues i popullit, që të krijojë hapësirë për diskutim publik dhe konsultime në çdo fazë të përgatitjes së amandamenteve të ligjit për RTK-në.

“Kjo do të mundësonte që palët e interesit të japin kontributin e tyre në hartimin e ndryshimeve në mënyrë që ndryshimet t’i ofrojnë RTK-së mjetet e nevojshme për të ushtruar përgjegjësi publike të pavarur nga ndonjë ndikim dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës të cilëve ju shërben”, thuhet në reagim.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme