Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin hapësira prej 4 hektarësh brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i takon Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht kishës “Shën Nikolla” në Prishtinë. Aktvendimin tashmë e ka marrë Universiteti i Prishtinës , konfirmojnë zyrtarët e Rektoratit të këtij universiteti.
Pikërisht, në hapësirën e kontestuar nga Universiteti i Prishtinës, gjatë viteve 90 -të të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, kishte nisur ndërtimi i kishës “Krishti shpëtimtar”, e cila nga shqiptarët e Kosovës shihet si objekt i ndërtuar me qëllime politike.
Universiteti i Prishtinës konsideron që hapësira në të cilën është ndërtuar kisha, është në shfrytëzim nga universiteti, tash e 50 vjet me radhë.
Në vitin 2012, Universiteti i Prishtinës, kishte nisur procesin gjyqësor për pronësinë e tokës, gjegjësisht kërkesën që toka e kontestuar t’i kthehet nën pronësi Universitetit.
Më 26 dhjetor të vitit 2015, Universiteti i Prishtinës kishte marrë një aktvendim të parë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku konsiderohej e tërhequr padia e Universitetit të Prishtinës kundër të paditurës Kishës ortodokse “Shën Nikolla”, për vërtetim të pronësisë. Për faktin se në seancën gjyqësore kishte munguar përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Gjykata Themelore kishte konfirmuar pronësinë e Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla”.
Sekretari i përgjithshëm i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në kohën kur ka arritur ftesa nga Gjykata Themelore, në Universitet ka pasur protesta të studentëve, të cilat kanë pamundësuar rrjedhjen normale të informimit për ftesën nga gjykata. Rrjedhimisht, Universitetit i ka ikur data për t’u paraqitur në gjykatë.
“Ne menjëherë kemi dërguar reagimin tonë, sipas ligjit siç parashihet, për ta arsyetuar mungesën tonë në këtë seancë. Fatkeqësisht kjo nuk është marrë në konsideratë dhe nxirret një vendim më 18 janar 2016, ku hidhet poshtë kërkesa e paditësit për të qenë në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht kemi dërguar edhe në Gjykatë të Apelit një kërkesë të tillë, e cila tani ka ardhur, me datën 31 nga Gjykata e Apelit, e cila po ashtu e hedhë poshtë, si të pabazuar, ankesën e përfaqësuesit, me arsyetim që nuk ka mundur të marrë pjesë. E vërtetoi vendimin e shkallës së parë, të Gjykatës Themelore”, thotë Kelmendi.