225 studentë të UP-së këtë javë do të marrin nga 200€ të mbetura të bursës

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 08:26 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deri në fund të kësaj jave 225 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të marrin nga 200 euro.

Këto mjete studentët shembullor do t’i marrin si pjesë e bursës që kanë përfituar për vitin akademik 2015/2016, raporton Ekonomia Online.

Shuma totale e bursës ka qenë 600 euro, ndërsa kjo shumë është ndarë në dy pjesë. Në fillim bursistëve i janë shpërndarë nga 400 euro, ndërsa gjatë kësaj jave pritet që të finalizohet e gjithë ndarja e bursës, pra ata do të marrin edhe nga 200 euro.

Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.

Kelmendi ka bërë të ditur se gjenden në fazën e fundit të kompletimit të shpërndarjes së bursave.

“Edhe 225 studentë i kemi të papaguar në fazën e fundit, të tjerët i kemi paguar edhe pjesën e dytë pra shumën prej 200 euro e kemi paguar gjatë kësaj jave. Janë në proces të pagesës deri në fund të javës besoj që do të kryen të gjitha”, ka thënë Kelmendi.

Përderisa viteve të kaluara, përfituesit e bursave kanë marrë nga 900 euro, kjo shumë këtë vit është zvogëluar në 600 euro.

Kelmendi zvogëlimin e shumës së bursave e ka arsyetuar me ulje të buxhetit të ndarë si dhe për shkak të zvogëlimit deri në 50% të shpenzimit për konvikt dhe mensë.

“Kemi reduktim të shumës së bursës që jepet për një student, më herët ka qenë 900 euro, mirëpo krahas uljes së buxhetit ne jemi detyruar që të ulim edhe shumën e përfitimit të bursës për një student. Por duke pasur parasysh po ashtu që shpenzimet e konvikteve e qëndrimit në konvikt dhe ushqimit janë zbritur për 50%, do të thotë nga 70 në 35 euro për student, është e arsyeshme edhe kjo shumë, 600 euro që ofrohet për student, që të përpjesëtohet për 10 muaj nga 60 euro”, ka thënë Kelmendi për Ekonomia Online.

Për të shpërndarë nga 200 euro 225 studentëve UP-ja do të harxhojë 45 mijë euro. Ndërsa këtë vit, bursë kanë përfituar 1565 studentë, vlera e të cilëve kap shumën e 939 mijë eurove.

Të ngjashme