Zvicra e cila në mesin e saj ka katër shqiptarë, ndeshjen e parë në këtë botëror, e kishte kundër favoritit kryesor të “Rusia 2018”, përfaqësueses së Brazilit dhe në fund arriti të dal nga kjo përballje mjaft e vështirë, me një pikë pasi barazoi 1-1.
Granit Xhaka në bazë të notës që morri në këtë ndeshje, nuk mund të thuhet se kishte një paraqitje mbresëlënëse, për dallim nga Behrami e Shaqiri.
Megjithatë, para fillimit të ndeshjes, gjatë momentit të antonimit të himneve, u vërejt një detaj interesant, ku Xhaka e këndonte himnin e Zvicrës.
E kishte bërë këtë gjë edhe një herë në ndeshjen me Japoninë, tani e përsëriti prapë. Ky veprim i Granit Xhakës, është komentuar gjatë në Zvicër, pasi mesfushori me origjinë shqiptare, ndryshe nga futbollistët e tjerë si Shaqiri, Xhemajli e Behrami, zgjodhi që të këndonte himnin e Zvicrës.
Mirëpo mediat zvicerane kanë një shpjegim dhe thuhet se ky nuk është një gjest patriotizmi i Xhakës, apo se i ndjen shumë vargjet e himnit të vendit ku është rritur.
Sipas mediave zvicerane, gjithçka është bërë në funksion të faktit se Granit Xhaka, kërkon t’i japin shiritin e kapitenit. Në një vend si Zvicra, për të cilën luajnë futbollistë me origjinë nga vende të ndryshme, këndimi i himnit është kthyer shpesh në çështje. Xhaka është i ndërgjegjshëm se duke kënduar himnin, ka më shumë shanse që të mbajë shiritin në të ardhmen.
Aktualisht, ai është i treti në listë pas Lichtsteiner 34 vjeçar dhe Behramit 33 vjeçar, të cilët nuk kanë edhe shumë vite në përfaqësuese. Por duke parë se si Valon Behramit i ka ikur nga duart shiriti i kapitenit, pikërisht për faktin që nuk e këndon himnin, duket se Xhaka ka vendosur të jetë më i zgjuar, duke mos e ndjekur shembullin e shqiptarëve të tjerë në këtë përfaqësuese.