Çdo vit, Komisioni Evropian mat punën e Kosovës dhe e vlerëson atë në një dokument pune, që në gjuhën e përditshme quhet edhe Raporti i Progresit (tani së fundmi raporti për Kosovën).
Ky raport shkruhet nga punëtorët e BE-së në Kosovë e Bruksel dhe bazohet në një mori kriteresh, përfshirë ato politike e ekonomike, shkruan Arsim Canolli, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
Zakonisht, jepen edhe kapituj për gjëra specifike, vlerësime për plotësimin e standardeve evropiane, por edhe shtojca për marrëdhëniet e përgjithshme mes BE-së dhe Kosovës. Raporti për Kosovën është një vlerësim i rëndësishëm për Kosovën, sepse parasheh ecjen e saj drejt BE-së, fillimisht për liberalizim të lëvizjes së lirë e pastaj edhe për punë tregtie e anëtarësimi. Dhe ky është vullneti i popullit të Kosovës.
Çdo vit, kur del raporti, Kosova gëlon nga diskutimet: ku jemi, kah po shkojmë, kush ka faj. Ky raport bëhet fshikull në duart e politikanëve kundërshtarë: pozita përzgjedh copëza dhe i interpreton si suksese, opozita përzgjedh copëza të tjera dhe i interpreton si dështime. Zyrtarët e BE-së ngarendin për të sqaruar, me gjuhë të diplomacisë “progresin e kufizuar”, “kriteret që duhet plotësuar” e “çështjet prioritare” të Kosovës.
Në përgjithësi, nuk ka ndonjë gëzim të madh rreth këtij raporti. Askush nuk del në udhë të bërtas “le rapport est arrivé”, sikurse bërtisnin francezët e madje edhe anglezët kur vinte bonzholeja e re: Le Beaujolais Nouveau est arrivé! Ky raport nuk e ka as shijen e bonzholesë; më shumë ka shije të sirupit që duhet me e pi, deshe s’deshe, për imunitet drejt BE-së.