Ministrat e Bashkimit Evropian kanë zgjatur sanksionet kundër ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych dhe 12 bashkëpunëtorëve të tij edhe për një vit, por kanë hequr masat ndaluese ndaj ish-ministres së Drejtësisë, Olena Lukash dhe biznesmenit Serhiy Klyuyev.
Lukash dhe Klyuyev janë larguar nga lista e sanksioneve pasi zyrtarët e BE-së kanë vendosur se nuk ka pasur prova të mjaftueshme kundër tyre.
Olena Lukash ka qenë në postin e ministres së Drejtësisë për rreth një vit.
Serhiy Klyuyev, një biznesmen dhe avokat nga partia e Yanukovychit, ka qenë pronar i Mezhyhirya, një rezidencë luksoze e Yanukoychit në periferi të Kievit, që tashmë është shndërruar në muze.
BE-ja kishte ngrirë asetet e Yanukovychit dhe rrethit të tij të ngushtë, menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë së tij në shkurt të vitit 2014. Blloku ka akuzuar Yanukovychin dhe bashkëpunëtorët e tij për keqpërdorim të fondeve shtetërore të Ukrainës.