James godet si kali, thotë trajneri i Chelseat Tuchel

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, është shprehur i lumtur që Reece James i shënoi dy gola për t’i ndihmuar skuadrës së tij ta mposhtë Newcastle Unitedin të shtunën, duke i lartësuar aftësitë e tij sulmuesve.

James, megjithëse mbrojtës anësor, i ka katër gola në Premierligë në sezonin 2021/22, ndërsa deri para këtij sezoni e kishte shënuar vetëm një gol gjatë gjithë karrierës, raporton Gazeta Express.

Dy golat e tij ishin vendimtare për ta thyer skuadrën e Newcastle në pjesën e dytë në St. James’ Park, me Jorginhon që shënoi nga penalltia për rezultatin final 3:0 për skuadrën e Tuchel.

Duke folur pas ndeshjes, Tuchel tha: “Ne nuk i ushtrojmë goditjet me Reece, ai godet sikur kali”.

Chelsea është lider i Premierligës me 25 pikë nga 11 ndeshje, tri më shumë se Liverpooli në vendin e dytë.

Kampioni i Evropës është mposhtur vetëm një herë deri tani në ligë, duke i fituar tetë ndeshje dhe duke barazuar një herë tjetër.

Të ngjashme