Deputetja evropiane Jana Nagyová është shpallur fajtore për mashtrim me subvencionet e Bashkimit Evropian, në një çështje me vlerë rreth 2 milionë euro, që lidhet me konglomeratin bujqësor Agrofert, të themeluar nga kryeministri çek Andrej Babiš.
Gjykata e Lartë e Pragës konfirmoi të hënën vendimin në apel, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë në muajin maj.
Nagyová, eurodeputete e grupit “Patriotët për Evropën” dhe ish-këshilltare e Babišit, është dënuar me tre vite burgim të pezulluar, me një periudhë prove prej pesë vitesh. Gjithashtu, gjykata i ka vendosur një gjobë prej rreth 20 mijë eurosh, për mashtrim me subvencionet dhe dëmtim të interesave financiare të Bashkimit Evropian.
Nagyová i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka bërë të ditur, përmes avokatit të saj, se do ta apelojë vendimin në Gjykatën Supreme të Çekisë. Në muajin prill, Parlamenti Evropian i hoqi asaj imunitetin parlamentar.
Çështja lidhet me kompleksin turistik Čapí Hnízdo (Foleja e Lejlekut), në Çekinë qendrore. Prokuroria e ka akuzuar Nagyován se ka ndihmuar në një skemë për shkëputjen e kompleksit nga Agrofert dhe paraqitjen e tij si një ndërmarrje e pavarur.
Sipas akuzës, kjo u bë me qëllim që kompleksi të përfitonte nga kushtet e granteve të Bashkimit Evropian, të destinuara për bizneset e vogla dhe të mesme. Më vonë, Agrofert rimori pronësinë mbi kompleksin.
Procesi gjyqësor fillimisht përfshinte edhe kryeministrin çek Andrej Babiš. Megjithatë, çështjet u ndanë pasi parlamenti çek refuzoi në mars të heqë imunitetin parlamentar të tij.
Për këtë arsye, procedurat ndaj Babišit do të mbeten të pezulluara gjatë kohës që ai ushtron mandatin. Babiš ka mohuar çdo akuzë për shkelje.
Në dhjetor, pasi u rikthye në postin e kryeministrit, ai e vendosi Agrofert-in në një fond besimi, duke deklaruar se nuk ka më lidhje me konglomeratin që themeloi.
Megjithatë, kritikët kanë argumentuar se kjo strukturë e re nuk i zgjidh shqetësimet lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit. /Panorama