Janë mbi 418 mijë vetura në qarkullim rrugëve të Kosovës

Prishtinë | 11 Jan 2023 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Kolonat e gjata me të cilat përballen qytetarët e Kosovës vazhdimisht, nuk janë krejtësisht pa arsye.

Përpos kushteve aspak të mira në infrastrukturën rrugore, problem është bërë edhe prania e një numri të madh të automjeteve në vend.

Shumë prej këtyre automjeteve madje janë kritikuar për dëmtim të ajrit, për shkak të vjetërsisë dhe problemeve të cilat iu janë shfaqur këtyre veturave.

Anipse numri i veturave është i madh, mjaftë i lartë vazhdon të jetë ende numri i atyre të cilat regjistrohen çdoherë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në lidhje me këtë, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur për lajmi.net se numri i veturave të cilat janë regjistruar në vitin 2022 është 30 mijë e 706.

“Numri i veturave të regjistruara në Kosovë në vitin 2022 është: 30,706”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Por në kuadër të këtyre regjistrimeve që bëhen, ka edhe shumë vetura të cilat duhet ri-regjistruar, për shkak të kalueshmërisë së afatit.

Sipas MPB-së, numri i përgjithshëm i veturave të ri-regjistruara në vitin 2022 është 69 mijë e 940 vetura.

Por edhe këtë vit, as kosovarët nuk i kanë qëndruar larg “trendit” të veturave elektrike apo hibride.

Përparësitë që posedojnë këto vetura dhe të mirat që iu sjellin drejtuesve të automjeteve, kanë bërë që shumë kosovarë të zgjedhin të blejnë një të tillë, e ta regjistrojnë në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Sipas ministrisë përkatëse, vetura të tipit elektrike, hibride apo të ngjashme në Kosovë të regjistruara janë 2 mijë e 650.

Kësisoj në rrugët e Kosovës veturat të cilat posedojnë regjistrim valid nga këto lloje mund të shihni mbi 2 mije të tilla.

“Vetura të tipit elektrike, hibride a po të ngjashme gjithsej janë 2,650 vetura”.

E në të gjitha rrugët e Kosovës, e ku padyshim shihni vetura të ndryshme janë gjithsej mbi 418 mijë.

“Vetura në qarkullim gjithsej në Kosovë janë: 418,702 vetura”, u tha në përgjigjen e MPB-së.

Brenda këtij viti, drejtuesve të automjeteve në Kosovë iu desh të merren edhe me një procedurë të re të regjistrimit.

Nga 1 marsi i vitit 2022, nisi zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e pullave ngjitëse (stickers) në mjetet motorike.

Pulla ngjitëse merrej në rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij dhe si e tillë kërkohej të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.

Byroja Kosovare e Sigurimit pati marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhu me vendosjen e pullave ngjitëse nëpër mjetet motorike.

Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e pullave (stickers).

Ndryshe veturat e paregjistruara në Kosovë vazhdojnë të jenë sfidë e madhe për institucionet tash e sa vite.

Të ngjashme