Seleksionuesi i Belgjikës, Roberto Martinez, ka këshilluar Adnan Januzajn që gjatë këtij afati kalimtar të largohet nga skuadra e Real Sociedadit, nëse dëshiron të merret në konsideratë për “Euro 2020”.
Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga mediumet belge që kanë raportuar se Martinez nuk është i kënaqur me minutazhën e Januzajt që ka pasur këtë edicion tek ekipi spanjoll. 24-vjeçari ka 14 paraqitje në të gjitha garat dhe ka shënuar katër gola e ka asistuar po aq herë. Martinez po insiston që Januzaj të ketë më shumë minutazhë në këmbët e tij para Evropianit që nis në qershor të këtij viti.
Raportohet se Martinezi i ka telefonuar Januzajt, duke i bërë me dije se nëse nuk vendos të largohet nga Sociedadi deri të premten (31 janar), kur edhe mbyllet afati kalimtar, atëherë nuk do të jetë në planet e tij për “Euro 2020”.
“Roberto Martinez i ka dërguar një mesazh të qartë Adnan Januzajt. Përzgjedhësi i Belgjikës ka këshilluar Januzajn që të ndërrojë klub deri të premten për shkak se qëndrimi te Sociedadi, ekip tek i cili ka minutazhë të vogël, nuk do të jetë në favor të tij për të qenë pjesë e Belgjikës për Kampionatin Evropian”, ka shkruar e përditshmja belge “Het Nieuwsblad”. “Januzaj këtë edicion te Sociedadi është inkuadruar kryesisht nga banka e rezervistëve Liga dhe praktikisht nuk bën pjesë në planet e klubit”.
Januzaj, 24-vjeçar, ka kontratë me Sociedadin deri në vitin 2023, kurse këtij ekipi iu bashkua në verën e vitit 2017 nga Manchester Unitedi për 8.5 milionë euro. Këtë muaj interesim të madh për Januzajn kanë shprehur skuadrat nga Serie A, si Roma, Milani dhe Atalanta. Sociedadi për ta lënë të lirë po kërkon 18 milionë euro dëmshpërblim dhe mbetet të shihet nëse Januzaj do të largohet për të vazhduar karrierën në Itali.
“Disa ekipe italiane tashmë po kërkojnë Januzajn, qoftë edhe në formë huazimi. Lëvizja e tij në Itali mund të jetë e duhura, pasi ai do të kishte më shumë minutazhë në prag të Evropianit. Martinez po pret lëvizjen e Januzajt”, ka vazhduar gazeta belge.
Januzaj në vitin 2014 debutoi te Belgjika dhe deri më tash ka një gol të shënuar në 12 ndeshje. Ka luajtur në dy botërorë me Belgjikën. Gjatë karrierës ka luajtur edhe te Sunderlandi e Manchester Unitedi.