Japoni: Mijëra peshq të ngordhur dalin në mënyrë misterioze në plazh

Prishtinë | 08 Dhj 2023 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Mijëra peshq të ngordhur janë parë në një plazh në Japoninë veriore.

Peshku, i përbërë kryesisht nga sardele dhe pak skumbri, u hodh në breg në Hakodate në ishullin kryesor më verior Hokkaido, duke mbuluar një shtrirje plazhi rreth një kilometër të gjatë, raporton Skynews, transmeton Klan Kosova.

Banorët vendas thanë se nuk kanë parë kurrë diçka të tillë dhe u është kërkuar që të mos e konsumojnë peshkun.

Shkaku i incidentit mbetet i panjohur, por Takashi Fujioka, studiues i Institutit të Kërkimeve të Peshkimit Hakodate, sugjeroi se peshqit mund të jenë lodhur teksa ndiqeshin nga peshq më të mëdhenj.

Ai shtoi se mungesa e oksigjenit teksa lëvizte në një grup të mbushur dendur mund të kishte çuar në daljen e tyre në breg.

Incidenti përkon me migrimin e sardeles drejt jugut, tha Fujioka, duke shtuar se peshku mund të ketë hyrë papritur në ujërat e ftohta.

Ai theksoi se ka dëgjuar për fenomene të ngjashme më parë, por nuk e kishte parë kurrë në jetën reale.

Peshku në dekompozim mund të ulë nivelet e oksigjenit në ujë dhe të ndikojë në mjedisin detar, shtoi studiuesi Fujioka.

Një ditë pas kësaj ngjarjeje, zyrtarët e qytetit u panë duke inspektuar vendin dhe duke u përpjekur të mblidhnin peshqit, ndërsa banorët i mblodhën për t’i shitur ose për t’i ngrënë, pavarësisht paralajmërimeve.

Të ngjashme