Infrastruktura shkollore në Komunën e Klinës po modernizohet falë orientimit të investimeve të pushtetit lokal në këtë fushë duke krijuar kushte shumë më të mira për nxënës dhe arsimtarë në procesin edukativo-arsimor.
Sot, në dy ceremoni të ndara, është përuruar objekti shkollor 9 vjeçar i ShFMU “ Tre Dëshmorët” në fshatin Jashanicë dhe “ Dëshmorët” në fshatin Perqevë të Klinës për të cilat qeveria komunale ka investuar mbi 700 mijë euro.
“Me ndërtimin e këtyre objekteve shkollore, për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të Jashanicës dhe Perqevës, ofrohet mundësia e realizmit të objektivit të ngritjes së cilësisë në mësim dhe vazhdimin e reformës arsimore të filluar më herët. Pa arsimim nuk ka zhvillim të mirëfilltë ekonomik. Ne e mbajmë fjalën. Po ndërtojmë infrastrukturë të re shkollore në mënyrë që nxënësit të edukohen, të arsimohen dhe të ecin në drejtim të forcimit dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës”.
“Përmirësimi i kushteve infrastrukturore është vetëm gjysma e punës për ngritjen e cilësisë, gjysma tjetër e punës ju mbetet juve mësimdhënësve për të plotësuar këtë obligim kombëtar, të cilin Qeveria Komunale në Klinë e ka vënë prioritet. Nga sot në këto vatra shkollore po hapim perspektiva të reja për arsimimin dhe edukimin e nxënësve. Zhvillimi në arsim u paraprinë gjitha zhvillimeve tjera”, ka thënë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota në ceremoninë përuruese të këtyre shkollave”.
Nxënës e prindër të këtyre dy fshatrave kanë shprehur mirënjohje për kryetarin Sokol Bashota, për angazhimin në ndërtimin e godinave shkollore moderne me standarde evropiane.