Shumëçka ka humbur Bajram Jashanica gjatë dy vjetëve sa ishte i suspenduar nga UEFA për përdorim të substancave të ndaluara.
Humbi të drejtën të luante për Kosovën, Skënderbeun dhe të kalonte te ndonjë skuadër më e fortë në Evropë.
Por ai pret që në një të ardhme të afërt të kthehet te Kosova dhe të luajë në ndonjë kampionat më të fortë.
Jashanicës do t’i duhet ta shikojë nga tribuna edhe ndeshjen e së shtunës, që Skënderbeu e zhvillon kundër Teutës, në kuadër të kampionatit shqiptar.
Kthimi i tij në fushë pritet të ndodhë në ndeshjen që skuadra e tij e zhvillon javën e ardhshme ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
“Dëshira ime është që sërish të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës. Unë do të punoj fort për të arritur në këtë nivel dhe nëse e sheh trajneri të arsyeshme, unë do të jem gati dhe ta jap kontributin tim, ashtu siç e kam dhënë në të kaluarën. Dua të luaj sërish për Kosovën”, ka thënë Jashanica të mërkurën në një intervistë për “Kohën Ditore”.
Futbollisti 29-vjeçar ka thënë se dy vjetët e kaluar jashtë fushës janë më të këqijtë në jetën e tij.
“Jam shumë i lumtur që pas dy vjetësh po kthehem sërish në fushë. Është një ndjenjë e veçantë pas periudhës së vështirë gjatë këtyre dy vjetëve. Por e rëndësishme është që ka kaluar kjo kohë dhe jam duke menduar vetëm për të ardhmen, duke mos i kujtuar dy vitet më të këqija në karrierën time”, ka thënë Jashanica.
Në qershor të vitit 2018, Skënderbeu i Korçës kishte njoftuar se Jashanicës i ishte dhënë dënimi dyvjeçar nga Komisioni Antidoping.