Jasharaj: Nëse Qeveria e ka hallin e nxënësve, të nisë dialogun me sindikatat

Prishtinë | 20 Gus 2022 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së, njëherit kryetar i SBASHK -ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se as BSPK-ja, si përfaqësuese e shumicës së federatave sindikale, as SBASHK-u, si përfaqësuese e të punësuarve në tërë sektorin e arsimit dhe në shumë nga institucionet e kulturës, nuk kanë qenë të kyçur asnjë herë në punën e komisionit hartues të ligjit të pagave, e as nuk e kanë pranuar zyrtarisht versionin final të tij, i cili paska shkuar tani në procedura.

Jasharaj në një opinion dërguar mediave, ka shkruar se me muaj kanë kërkuar takime, por që u organizuan edhe veprime sindikale për ta nxitur Qeverinë për dialog e marrëveshje dhe ajo nuk bëri as edhe një milimetër angazhim.

“Pikërisht një ditë a dy para se BSPK-ja të shpallte grevën e përgjithshme, ministri Sveçla doli me deklaratën se e paska nisur për proceduara Ligjin e ardhshëm të pagave. Kemi të drejtë të dyshojmë se kjo u bë për t’u krijuar mjegull dhe hamendje te njerëzit. BSPK-ja e as SBASHK-u, nuk kanë qëndrim zyrtar për ligjin e pagave që e ka përmendur ministri Sveçla sepse nuk ishin pjesë e përgatitjes së tij e as që e kanë marrë këtë version në rrugë zyrtare”, ka shkruar ai, duke shtuar se ata si sindikalistë kanë të drejtë të dyshojnë se kjo u bë për t’u krijuar mjegull dhe hamendje te njerëzit.

“Në medie është filluar të botohen shkrime se sa kujt do t’i bëhet paga e madje diku- diku përmendet edhe vlera 120 euro për koeficientin. Mund të ketë aty, këtu edhe individë që po bëjnë llogari se sa do t’u bëhet paga me “Ligjin e pagave” që paska nisur rrugëtimin drejt procedurave”, ka shkruar ai.

Sipas tij, të punësuarve në sektorin publik duhet thënë të vërtetën se çdo gjë për ligjin e pagave, mbetet supozim.

“Edhe nëse arrihet pajtueshmëri e Qeverisë me sindikatat për këtë ligj, duhen muaj e muaj deri sa nuk bëhet aprovimi nga deputetet e Parlamentit e pastaj, sikur kjo mos të mjaftonte, në këtë version thuhet se 8 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, pritet të nisin pagat sipas këtij ligji dhe atë nëse prite o Zot, mos u dërgoftë në Kushtetuese e për t’u zhvleftësuar prapë e për t’u kthyer në pikën zero prapë.”

“Këto mund të ndodhin dhe prandaj është kërkesë legjitime e SBASHK-ut dhe e gjithë sindikatave tjera në BSPK që deri sa nuk fillon shteti të jap paga në bazë të Ligjit të pagave, ligj ky që do të ishte produkt i marrëveshjes së Qeverisë me sindikatat, Qeveria të bëj një shtesë prej 100 euro në pagë për të gjithë të punësuarit në arsim dhe sektorët tjerë me arsyetimin e argumentuar se kanë ndodhur ngritje shumë të mëdha të çmimeve të artikujve elementar të jetës”, ka shkruar ai.

Jasharaj duke e quajtur kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, ka thënë se ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke kritikuar se pse kanë kërkuar pikërisht 100 euro e jo bie fjala 300 euro.

“Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”, ka shkruar ai.

“Humori pa krip e ka sjell situatën deri te greva e përgjithshme nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”, ka shtuar ai.

Sipas tij, qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe dialogut, krijimi i mjegullës me apo pa qëllim për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera, si dhe humori pa krip e kanë sjellë situatën deri të greva e përgjithshme dhe nëse ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së.

Të ngjashme