Jashari komenton veshjen skenike të Fjolla Morinës, thotë se si vishet është punë e saj

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka komentuar në lidhje me veshjen skenike të këngëtares, Fjolla Morina, e cila është akuzuar gjatë ditës së sotme në medie për veshjen e saj jo të përshtatshme para audiencës në një koncert të mbajtur mbrëmë në Skenderaj në nderim të mërgatës.

Jashari ka thënë se si vishen këngëtarët është punë e tyre.

“Sa i përket paraqitjes skenike të Fjolla Morinës, mbrëmë, është përgjegjësi e këngëtarëve dhe më vjen mirë nga ju media që nëpërmjet kësaj këngëtareje (mbase ka dashur ta imitojë Rita Orën, e që këtë mund ta vlerësojë publiku), t’u zgjohet kureshtja dhe të shkruani e të raportoni për aktivitetet që po ndodhin në Skenderaj”, ka shkruar Jashari në Facebook.

“Shpresoj të keni interesim edhe për organizimet tjera në vazhdim. Sa i takon mbrëmjes së sotme, në Sheshin tonë “Adem Jashari”, do të këndojë Leotrim Gashi. Se si do të paraqitet ai para publikut, është përgjegjësi e tij”, ka shkruar ai.

Jashari ka njoftuar se ideja dhe i gjithë organizimi i aktiviteteve është i Qendrës Rinore Publike, me mbështetje të biznesve lokale, dhe i përkrahur nga ai si kryetar i Komunës.

“Për herë të parë po ndodhë manifestimi “60 ditë – 60 aktivitete”, për diasporën, dhe disa prej ngjarjeve të organizuara deri më tani kanë qenë: sofra tradicionale (dy të tilla; në Skenderaj dhe Runik), panairi i veshjeve tradicionale, mini-kuizi, vizitë monumenteve tradicionale dhe të tjera aktivitete që do të zhvillohen ditë në vazhdim”, ka shkruar Jashari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme