Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), edhe njëherë ka bërë të ditur qëndrimin sa i përket zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës në arsim.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari në një intervistë dhënë për Ekonomia Online, ka thënë se nëse nuk do të ketë rritje të koeficientit për mësimdhënësit e klasave nga 1 deri në 5 dhe stafit përcjellës, atëherë nuk do të ketë as zëvendësim të orëve të humbura.
Edhe pse janë në bisedime me ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin, Rrahmani shprehet skeptik se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Ministri Bytyqi bashkë me subjektin politik që nga i cili vjen Nisma dhe deputetët e tjerë po bëjnë një angazhim në Parlamentin e Kosovës për t’u përmirësuar koeficientet e kolegëve tanë që punojnë në klasat 1-5 psikologë e pedagogë dhe sekretarët e shkollave”.
“Atëherë në shenjë respekti për këtë dhe duke u solidarizuar me këta njerëz ne do të pranonim në nivel vendi që të zgjatet viti shkollor për 1 javë. Lëvizjet që po shohim tani tregojnë qartë që kjo nuk do të bëhet, prandaj mbetet edhe qëndrimi yni i njëjti që kompensim të ditëve të humbura në grevë nuk do të ketë”, ka thënë ai.
Jashari ka paralajmëruar ministrin Bytyqi, se nëse provohet të bëhet presion mbi mësimdhënësit për mbajtjen e orëve të humbura, do t’i drejtohen Unionit të Sindikatave të Evropës dhe gjykatave vendore.
“Nuk është mirë ne kemi thënë edhe publikisht as MASHhT-i as drejtoritë arsimore të provojnë me presione të ndryshme, ngase ne ato presione pastaj do t’i regjistrojmë do ta njoftojmë edhe Unionin e Sindikatave të Evropës po nëse ka presione ma të vrazhda ne ata njerëz do t’i padisim në Gjykatë, ngase Ligji për Grevat e thotë qartë që nuk i obligon njerëzit që janë në grevë të kompensojnë ditët apo orët e humbura gjatë asaj greve”, ka thënë Jashari.
Edhe pse pati një rritje të dukshme të pagave në sektorin e arsimit, i pari i SBAShK-ut pohon se nuk janë të kënaqur plotësisht as me Ligjin për Pagat.
“Ne po them të vërtetën në të vërtet nuk jemi krejtësisht të kënaqur me ligjin, dhe jemi sindikata e vetme që publikisht pa u bë ligji e kemi thënë dhe kemi kërkuar nga Kryeministri dhe të tjerët që ta tërheqin dhe ta punojnë një ligj për sindikatat ku secili do ta gjente vetën e tij, mirëpo po them gjatë grevave kishim 3 oferta të Qeverisë dhe të institucioneve tjera dhe më në fund ne arritëm jo tërësisht t’i plotësojmë kërkesat tona por në një masë të konsiderueshme po, bëmë lëvizje të koeficienteve” , tha ai.
Megjithatë, paralajmëron se nëse brenda 9 muajsh nuk nis zbatimi i Ligjit për Paga, atëherë çështja do të kthehet nga pika zero dhe se janë të gatshëm t’u rikthehen grevave.
“Vetë fakti se Institucionet e Kosovës gjegjësisht Parlamenti la hapësirë që tha se pas 9 muajve nga botimi në faqen zyrtare, kjo mbetet që gjithë sektori publik të pres deri në dhjetor dhe po them uroj që
të bëhet ky ligj. Por nëse nuk bëhet atëherë kthehemi në 0 dhe pastaj zhvillohet një betejë e re kush më shumë po arrijë t’i ndryshojë koeficientet”, tha Jashari.
SBAShK-u në fillim të muajit janar nisi grevën në arsim, duke kërkuar rritjen e pagave për mësimdhënësit.
Greva që zgjati tri javë dha frytet e veta pasi që rritje e koeficienteve ndodhi. Por, ata që humben nga kjo grevë ishin nxënësit, të cilët u detyruan të jenë jashtë bankave shkollore për 20 ditë.