Kompania kineze e tregtisë elektronike JD.com Inc të shtunën ka thënë se është bërë platforma e parë virtuale që ka pranuar monedhën dixhitale të Pekinit.
JD Digits, do të pranojë juan dixhital si pagesë për disa produkte në qendrën e saj në internet, si pjesë eksperimentale të dhënies së juanit dixhital për qytetarët e Suzhout, në afërsi të Shanghait, sipas një postimi zyrtar të kompanisë në WeChat, raporton Reuters.
Juani dixhital i Kinës është një nga iniciativat më të avancuara të “monedhës dixhitale të bankës qendrore”, pasi autoritetet globalisht iu përgjigjën kërcënimeve nga monedhat private të tilla si bitcoin dhe Libra.
Nën programin e Suzhout, qeveria komunale dhe Banka Popullore e Kinës (PBOC) do të lëshojnë 200 juan dixhitale “zarfe të kuqe” për 100,000 konsumatorë të zgjedhur përmes një lotarie.
Skema e Suzhout është lotaria e dytë dixhitale e tillë, pasi PBOC lëshoi 10 milionë juan dixhitale (1.5 milion dollarë) për 50,000 konsumatorë të zgjedhur në mënyrë rastësore në qytetin jugor të Shenzhenit.
Guvernatori i PBOC, Yi Gang, muajin e kaluar kishte thënë se më shumë se 2 miliardë juanë janë shpenzuar duke përdorur monedhën dixhitale të Kinës në 4 milionë transaksione të ndara.