Jeff Hovenier: Presidentja Osmani ka luajtur rol konstruktiv në raportet Kosovë-ShBA

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka vlerësuar angazhimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në ruajtjen e raporteve Kosovë-ShBA.

Ndonëse ai nuk deshi të komentojë shumë mbi individët, duke thënë se është fushatë zgjedhore, megjithatë ai pati disa fjalë për kandidaten e LDK-së për presidente.

“Dua të them disa gjëra, megjithatë. Presidentja Osmani ka luajtur një rol tejet konstruktiv në marrëdhëniet gjatë presidencës së saj, me angazhimin e saj frekuent me zyrtarët e ShBA-së, me marrëdhëniet poersonale me ata zyrtarë, me mundësinë për t’u angazhuar në çështje të vështira me mua dhe të tjerët, ka qenë një aset me të vërtetë i rëndësishëm”, tha Hovenier në Klan Kosova.

Ai përmendi po ashtu faktin që suspendimi i dialogut strategjik me ShBA-në, në të cilin tha se kanë punuar gjatë kohës sa ka drejtuar Ambasadën në Prishtinë, “ka ndodhur direkt nën qeverinë në detyrë të Qeverisë Kurti, si pasojë e veprime që ka ndërmarrë ajo qeveri, të deklaratës për suspendimin e dialogut duke iu referuar veprimeve dhe deklaratave të qeverisë në detyrë. Kjo është në regjistra publikë”.

Hovenier tha se Kosovës i duhen edhe presidenti, edhe kryeministri edhe qeveria, të gjithë duke punuar në drejtim të njëjtë “dhe shpresoj që Qeveria do t’i priorizitojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe partnerët tjerë të Kosovës, siç është BE-ja, Britania… sepse kur shkohet në drejtime të ndryshme, paguajnë çmimin qytetarët e Kosovës”.

Ai tha se Kosova, me qeveritë e kaluara, ka tërhequr investime të jashtëzakonshme nga ShBA-ja.

Të ngjashme