Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, ka prezantuar në Turneun e Ndryshimit në Vushtrri reformat për përmirësimin e mësimdhënies, duke treguar si shembuj reformat që, sipas saj, janë duke u zbatuar tashmë në disa shkolla të Prishtinës, e të cilat përmirësojnë kushtet e nxënësve.
Ajo theksoi se një ndër qëllimet kryesore është të mundësohet që fëmijët të kenë më shumë kohë për të realizuar detyrat dhe për të mësuar, duke i dhënë atyre 8 orë mësim në ditë, në vend të 4 orëve.
“Sot do të fokusohemi në një pikë të veçantë që ka të bëjë me shkollat. Sot do t’iu jap shembullin e Prishtinës, në 10 shkolla kemi marrë hapa të rrezikshëm duke lëvizur duke i ndarë me cikle. Dhe kemi aplikuar mësimet tërësor vetëm në klasat e 1-5. I përfshijnë këto moshë sepse edhe rezultatet e testeve na këshillojnë të ndërmarrim masa për këtë grup-moshë”.
“Fëmijët tanë librat e rëndat nuk arrijnë të realizojnë për katër orë, ne e kemi bërë tetë orë në mënyrë që të kenë kohë më shumë. Kemi futur lëndë për zhvillimin e talenteve dhe kemi futur Kodimin si lëndë. Të gjitha këto i kemi bërë duke rishqyrtuar buxhetin tonë që fëmijët të kenë shujtat ditore të pasura me vitamina. Mësimi tërësor në Vushtrri është i realizueshëm në mandatin tonë. Na duhet disa investime në klasa, banka, karriga, banka digjitale. Do të ndodhë edhe një riorganizim i shkollave aty ku ka më pak nxënës që të bëhet edhe aty mësimi tërësor”, ka thënë Lushaku.
Bajrami: Do të vendosim sistemin e meritokracisë
Ndërsa ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka theksuar rëndësinë e implementimit të sistemit të meritokracisë në arsim, që nga shkolla fillore deri në atë të mesme.
“Programet e reja kurdo që hapen duhet të kenë konkurse të profesionistëve. Kjo ka ndodhur i takon fakultetit ekonomik dhe nuk ndodh të hapen konkurse të reja. Ka raste kur kemi adaptim të programeve të reja të cilat kanë mbetur pa norma dhe profesorët janë trajnuar. Sistemin e meritokracisë kemi vendosur ta vëmë në implementim në arsim prej shkollës fillore e të mesme. Duhet të dijmë vetë në mënyrë që këtë dije t’ua kalojmë të tjerëve”, ka thënë Bajrami
Mësimdhënësja Fatbardha Istrefi Avdiu ka theksuar rëndësinë e krijimit të profileve të shkollave profesionale, të cilat duhet të jenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e ndërmarrësve.
“Është me rëndësi që shkollat profesionale tona të lidhen me Odën Ekonomike të krijojnë profile varësisht ku ka nevojë nga ndërmarrësit, plotësimi i laboratorëve është pjesë tjetër që shkollat profesionale kanë probleme të mëdha, në planin tonë është shtimi i anekseve e furnizimi i laboratoreve. Të gjitha këto janë të nevojshme për arsimimin profesional për të përgatitur nxënës për tregun e punës. Që të jenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë. Dhe të jenë të barabartë me të gjithë fëmijët.”, ka thënë ajo.
Ish kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka ngritur si shqetësim çështjen e fëmijëve në shkolla, duke iu referuar faktit se një fëmijë i Kosovës nuk është i barabartë me fëmijët në evropian pasi i kalojnë vetëm katër orë në shkollë.
“Një prej problemeve më të mëdha sot te çdo familje, të çdo prindi është fakti se nuk kanë ku ta dërgojnë fëmijën gjatë ditës dhe shkolla është vetëm katër orë. Një fëmijë i Kosovës, sot, nuk është i barabartë më fëmijët në Evropë për faktin se fëmijët në Kosovë i kalojnë vetëm katër orë në shkollë. Ndërkohë që çdo fëmijë në Evropë i kalon shtatë deri në tetë orë në shkollë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka theksuar se fëmijët nëpër fshatra nuk shkojnë në kopshte dhe çerdhe, dhe sipas tij ata shkollën e shohin vetëm kur i bëjnë gjashtë vjet.
Ai ka thënë po ashtu se komunat kanë kapacitet që për çdo vit të ndërtojnë me buxhetin e tyre nga një çerdhe.
“Nuk është i barabartë një fëmijë i Kosovës sot për shkak se mbi 90 për qind e fëmijëve të Kosovës, sidomos të atyre që janë nëpër fshatra nuk shkojnë në kopshte, nuk shkojnë në çerdhe, ata shkollën e shohin vetëm kur i bëjnë gjashtë vjet dhe kjo është tepër vonë në krahasim kur fëmijët gjithandej nëpër Evropë e fillojnë shkollimin. Kjo është e mundur, me nëntë komuna që sot i udhëheq LDK-ja gjithandej Kosovës dhe me fitoren e 9 shkurtit është e mundur edhe arritja e ndërtimit të 100 çerdheve, është e mundur edhe para kompletimit të mandatit të dytë. Ka kapacitet në komuna që çdo vit të ndërtohet me buxhetin e komunës nga një çerdhe”, ka thënë Tahiri.