Jeni ndër ata që aplikoni lente, shmangni këto gabime!

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 19:30 | Nga

Të zëvendësosh syzet optike me lente sigurisht ka të mirat e saj, sikurse është shikimi periferal i përmirësuar.

Gjithsesi, ashtu si me syzet edhe lentet nuk mund t’i heqësh dhe t’i vësh sa herë të duash, apo t’i hidhni diku para se të flini.

Megjithatë pakujdesi të tilla mund të shkaktojnë infeksione serioze të syrit, transmeton Klan Kosova. Por ndonëse shumica e përdoruesëve i dinë, ende vazhdojnë të bëjnë gabime të përditshme me lentet e kontaktit.

Më poshtë po ju kujtojmë disa gabime të shpeshta që duhet t’i shmangni me çdo kusht.

1. Të flini me lente

Ndoshta disa kompani që prodhojnë lente këshillojnë që nuk ka asgjë të keqe të flesh me lente, dhe kështu ju e ktheni në zakon diçka të tillë. Kur zgjoheni ndjeni më pas që sytë janë të thatë dhe shikimin e keni të turbullt. Të flesh me lente nuk është aspak e këshillueshme për sytë sepse gjatë natës ato mund të shkaktojnë irritim. Mbi të gjitha, lentet mund të marrin baktere të ndryshme që bëhen më pas vatër infeksionesh.

2. Të bësh dush apo të notosh me lentet në sy

Uji i detit apo shkuma e dushit do t’ju irritojë sytë. Infeksionet që mund të vijnë si pasojë e këtij gabimi, mund të jenë kaq të rënda sa t’ju çojnë deri në verbim.

3. Përdorimi i ujit të pafiltruar për të larë lentet

Një veprim i tillë mund të shkaktojë probleme serioze tek sytë tuaj. Uji i çezmës mund të jetë i pastër mjaftueshëm për t’u pirë, por nuk është steril. Lentet e kontaktit duhen larë vetëm me solucionin e tyre përkatës.

4. Të vazhdosh t’i mbash ndonëse afati ka kaluar

Mund të duket sikur kështu keni kursyer disa të holla, por jo. Përveçse duhet të pastrohen çdo ditë, ato duhen ndërruar çdo tre muaj. Nëse vazhdoni t’i mbani për një kohë të gjatë, infeksioni është i pashmangshëm, shkruan Dita, transmeton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme