Jeremiqi kundërshton ndarjen e Kosovës

Prishtinë | 22 Kor 2018 | 08:58 | Nga

Lideri i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, tha se zgjidhja për Kosovën duhet të kërkohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 dhe se zgjidhjet e tjera, siç është ndarja e territorit, janë krejtësisht të papërgjegjshme.

“Kush merr vesh diçka nga diplomacia, nuk do të duhej të shprehet ndryshe. Për fat të keq, disa nga njerëzit kyç në udhëheqjen tonë shtetërore nuk po sillen ashtu”, tha Jeremiq, për gazetën serbe “Blic”.

I pyetur nëse “konflikti i ngrirë”, sipas tij paraqet zgjidhje dhe nëse kjo është një alternativë e marrëveshjes, Jeremiq tha se nuk ka kurrfarë konflikti të ngrirë, siç po përpiqet pushteti ta paraqes për të frikësuar njerëzit, përcjell Telegrafi.

“Nuk është e vërtetë se është i domosdoshëm anëtarësimi i Kosovës në OKB që të normalizohet jeta, qoftë në Kosovë apo në rajon”, tha ai dhe shtoi se nuk sheh se pse duhet nënkuptohet një konflikt si alternativë për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Jeremiq tha se para statusit përfundimtar të Kosovës  duhet të negociohet për shumë gjëra të tjera që janë me interes vital për Serbinë, siç është çështja e pronës shtetërore dhe private, pastaj garancitë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe.

Ai tha se nuk do të ketë më mundësi për të negociuar këto çështje të rëndësishme, nëse Beogradi vendos nënshkrim për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Jeremiq, ish-ministri  i Punëve të Jashtme dhe ish-përfaqësuesi i Serbisë në OKB, tha se “tërheqjet e njohjeve të pavarësisë së Kosovës janë krejtësisht e parëndësishme, nëse Kosova me nënshkrimin e  Serbisë të bëhet anëtare e OKB-së, sepse me këtë në mënyrë të pakthyeshme rrumbullakëson subjektivitetin e saj juridik ndërkombëtar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme