Presidenti i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, thotë se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, në emër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po negocion për “demarkacionin” me Kosovën.
Në një njoftim për media të partisë së tij, thuhet se javën e kaluar, Blair për këtë temë ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me zyrtarë francezë, ndërsa javën e ardhshme do të ketë një takim edhe me përfaqësues të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së.
“Gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nga zyrtarë shumë seriozë e të lartë, kam marrë vesh se Blairi për këtë shërbim merr para nga Lindja e Afërt. Përmendet edhe shuma prej 150.000 dollarësh në muaj, plus kompensime për punën e kryer, nëse Blair zbaton idenë e Vuçiqit për ‘demarkacion’ dhe Prishtina bëhet anëtare e OKB-së”, ka thënë Jeremiq në televizionin serb N1, transmeton Koha.net.
Jeremiqi ka shtuar se për takimet e Blairit me Angela Merkelin dhe me zyrtarë amerikanë ka mësuar nga disa burime shumë të informuara, në mesin e të cilëve janë edhe ata nga Evropa.
“I bëj ftesë Vuçiqit që të më demantojë nëse nuk është e vërtetë kjo që po e them. Tani po zhvillohet manovra më e rrezikshme taktike e Vuçiqit në lidhje me Kosovën që kur ka ardhur në pushtet. Kush e ka paguar Blairin dhe çka ka përfituar Serbia nga dhënia e parave ish-kryeministrit britanik”, ka pyetur Jeremiqi.
Ish-ministri i Jashtëm serb, Jeremiq, thotë se Vuçiqi “përmes lotëve të krokodilit ka deklaruar humbjen e politikës për Kosovën” në mënyrë që zgjidhja e problemit të Kosovës të largohet nga sytë e publikut dhe pastaj, kur përfundimisht të arrihet marrëveshja, të bëjë një “politikë blickrig” që zgjidhja të jetë e pranueshme në Serbi.
Ai ka kritikuar edhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, e cila, sipas tij, e ka dobësuar pozicionin e Beogradit në dialogun me Prishtinën pasi që, siç thotë ai, “për herë të parë, shefja e delegacionit të Serbisë nuk përmend Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe nuk falënderon shtetet që s’e kanë njohur pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës”.