Jeta në kufi

Prishtinë | 23 Sht 2018 | 11:21 | Nga

Dy dekada janë bërë prej kur nuk ka shkelur më kufirin. Ka harruar si duket fqinji verilindor i Kosovës, edhe pse e ka vetëm 1 kilometër larg shtëpisë së tij, që gjendet në anën e djathtë të magjistrales Podujevë-Merdar.

Përskaj shtëpisë së tij kalon secili që ia mësyn këtij kufiri. Të tillët janë të shumtë në numër. E Rrahman Hashimi pret e përcjell secilin prej tyre. Ai kujdeset që t’u shesë sa më shumë shtalpa, pemë e perime bashkatdhetarëve që kalojnë kësaj rruge, shkruan sot “Koha Ditore”.

Duhet ta shfrytëzojë sa më shumë këtë kohë, pasi sezoni nuk zgjat shumë. Kjo është dobia e vetme që i sjell Rrahmanit jeta në fshatin kufitar afër portës që mban numrin rendor 3, rreth gjashtë kilometra në lindje të qytetit të Podujevës. Por një pasdite shtatori ai po bënte punë të tjera.

Kioskës ngjyrë kaltër prej llamarine që e ka vendosur përskaj magjistrales, ka disa ditë që ia ka vënë drynin. Zhurmën në rrugën më të ngarkuar në kohë pushimesh i është kthyer pak qetësia.

Mërgimtarët pothuajse të gjithë janë kthyer në vendet perëndimore, ku edhe punojnë. Edhe shtalpit, që u shiste atyre, tashmë janë bërë misër të fortë. Këtë pasdite, Rrahman Hashimi edhe pas perëndimit të diellit po vazhdonte të priste në fleta mollët për t’i terur në shtëpinë e re që ende nuk e ka përfunduar.

Jeta në fshatin kufitar, nuk është se i ka sjellë tjetër dobi (pos shitjes sezonale). Ai nuk është prej atyre tregtarëve që kanë vazhduar “jetën” me fqinjët matanë kufirit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme