Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësues të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, nga të cilët ka marrë konfirmimin për ndërtimin e dy shtëpive për familjet me gjendje të rëndë të banimit, të cilat rrisin fëmijë jetimë.
Numri një i Gjilanit e ka falënderuar përfaqësuesin e kësaj shoqate, Halil Kastratin, për këtë mbështetje dhe humanitetin ndaj jetimëve.
“Komuna e Gjilanit ka tri vite që e ka fondin për banim social dhe nga vullneti i njerëzve të mirë i kemi ndërtuar më shumë se 60 shtëpi për familjet në nevojë, ndërkaq 6 shtëpi të tjera do t’i ndërtojmë sivjet. Unë ju falënderoj juve që dorën e humanizmit e keni shtri në Gjilan në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë Haziri.
Kurse, drejtori i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe zotimin për mbështetjen sa i përket mbarëvajtjes së punëve në ndërtimin e dy shtëpive për jetimë të Gjilanit.
“Gjilani është qyteti që e kemi mbështetur më së shumëti në ndërtim të shtëpive për fëmijë jetimë. Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me këtë solidaritet”, u zotua Kastrati.