Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se Jeton Lajçi është bërë pjesë e kësaj partie.
Ai deklaroi se Lajçi ka përfunduar studimet për Menaxhim të Turizmit në Institutin ITV të Bern-it dhe për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Universitetin e Tiranës.
“Ai në Lëvizje vjen nga Peja që shënon rëndësinë e zhvillimit turistik në vend dhe sjell përvojën nga fusha të ndryshme të turizmit ndërkombëtar me punën që ka bërë për kompani prestigjioze në Zvicër. Kosova është e pasur me bukuri natyrore por që nuk njihen sa duhet nëpër botë”.
“Fusha e turizmit malor, planifikimi hapësinor dhe rregullator për zona turistike nuk është i plotë. Me Jetonin dhe të tjetër të kësaj fushe që i janë bashkuar Lëvizjes, në vend të shpronësimeve dhe asfaltit do të vendoset zhvillimi dhe gjelbërimi. Kështu, bashkë me Ali Lajçin, Shpejtim Bulliqin e Petrit Bicajn, i uruam mirëseardhje dhe suksese Jetonit”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.