Pasditen e sotme, në cdo lagje të qytetit të Tiranës në vijim të situates së krijuar nga koronavirusi, janë vënë në shërbim edhe Forcat e Armatosura për të monitoruar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, respektimin e rregullave nga qytetarët. Për çdo qytetar që nuk do të respektojë masat e marra dhe rregullat e vendosura për orare të caktuara, të cilat tashmë janë të bëra publike, atëherë do të veprohet për këdo përmes këtyre masave administrative përkatëse të publikuara ditët e fundit.
Sakaq, Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel qytetarëve shqiptarë që edhe kur dalin nga shtëpia në oraret e lejuara të respektojnë distancën nga njëri-tjetri dhe të kenë durim kur shkojnë në dyqane për pazare apo në farmaci. Ai ka postuar në rrjetin e tij social Facebook, foto qe tregon se si bota po i përgjigjet masave kufizuese, pra ku qytetarët qëndrojnë në radhë të gjata në distancën nga njëri-tjetri duke dhënë kështu kontributin e tyre në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në terren në Shqipëri kanë dalë policia dhe ushtria duke u siguruar që edhe në supermarkete të ruhet distance, kjo gjë për të garantuar që distanca të ruhet nga njerëzit që dalin të gjithë në këto orare të lejuara
“Policia dhe ushtria janë angazhuar sot në sigurimin e radhëve e të distancave në hyrje e brenda pikave të shërbimeve ushqimore dhe farmaceutike! Ju përgjërohem të gjithëve të mbajnë radhën si njerëz të rrezikuar nga bombat e padukshme që sjellin vdekje, vuajtje, zgjatje të pafundme të kësaj lufte. Bashkëngjitur shembuj se si e lufton bota armikun kur shkon për të blerë ushqime e ilaçe, madje edhe para dyqanit të armëve apo në shtëpinë e zotit rrinë në radhë e në distancë!”,- shkruan Rama.
Kujtojmë që në Shqipëri tashmë janë regjistruar 70 të prekur nga koronavirusi. Ndër to, 2 persona kanë arritur të shërohen dhe 2 të tjerë kanë ndërruar jetë, ku bëhet fjalë për një grua nga Durrësi 73 vjecare dhe një burrë 66-vjecar nga Lushnja. Qeveria ndërkohë ka marrë masa shtrënguese
MASAT
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke e konsideruar si domosdoshmëri marrjen e masave shtesë për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë, nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të COVID-19, mbi ne dhe të afërmit tanë, të mos lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:
1.Të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.
2.Të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.
3.Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresës së email-it: [email protected], listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.
4.Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.
5.Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.
6.Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.
7.Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.
8.Të gjithë këmbësorët janë të detyruar të lëvizin midis orareve 06.00-10.00 dhe 16.00-18.00 dhe ata nuk duhet të kenë asnjë tjetër në krah.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.