Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, u tha udhëheqësve të Bashkimit Evropian se ai do të bisedojë me ta për BREXIT-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, kur ata t’i ndryshojnë qëndrimet për marrëveshjen e divoricit.
Në të kundërtën, Britania do të përgatitet të dalë nga blloku pa marrëveshje, tha zëdhënësja e Johnsonit.
Qëkur është bërë kryeministër javën e kaluar, Johnson ka biseduar me disa udhëheqës të BE-së, por ai nuk ka deklaruar ende se kur do të bëjë vizitën e parë jashtë vendit.
“Kryeministri ua ka bërë të qartë qëndrimin udhëheqësve evropianë. Marrëveshja e Tërheqjes nuk ka mundur të kalojë në Parlament tri herë, andaj duhet të ndryshojë”, tha zëdhënsja e Johnsonit për gazetarët në Londër.
“Kryeministri do të jetë i lumtur të bisedojë kur pozicionet të ndryshojnë”, tha ajo.
Britania ka arritur marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit nëntorin e kaluar, pas dy vjetësh negociata.
Por, ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik, çfarë ka çuar edhe në dorëheqjen e kryeministres së deritashme britanike, Theresa May.
Zyrtarët evropianë kanë përsëritur muajin e kaluar se nuk do të ketë negociata të reja.
Britania, e cila ka vendosur për Brexit në një referendum në vitin 2016, duhet të largohet nga BE-ja deri më 31 tetor.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në.