Joseph: Deklaratat e Daçiqit forcojnë kërkesën e Kosovës për të nënshkruar 3 marrëveshjet

Prishtinë | 05 Dhj 2023 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Profesori amerikan dhe njohësi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Edward P. Joseph, ka thënë se qëndrimet dhe deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, e arsyetojnë kërkesën e Kosovës që Beogradi të nënshkruajë të tri marrëveshjet që kanë përkrahjen e BE-së dhe SHBA-së.

Profesori amerikan shton se bllokada e Serbisë s’është e limituar vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB.

“Më 4 dhjetor, Daçiqi nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq që ai nuk e ka nënshkruar planin franko-gjerman. Daçiq tha: ‘Kjo nënkupton që ne nuk pranojmë ndonjë interpretim që implikon njohjen e Kosovës dhe që nuk ka hyrje të Kosovës në OKB’”, ka shkruar Joseph.

Ai përmend deklarimin tjetër të Daçiqit se “çfarë është mirë rreth OSBE-së, është që Kosova s’mund të bëhet kurrë anëtare e organizatës sepse kërkohet konsensus për këtë dhe Serbia kurrë s’do të pajtohet për këtë”.

Joseph thotë se këto qëndrime të Daçiqit janë në kundërshtim flagrant me Nenin 4 të Marrëveshjes së muajit shkurt e që njihet si “Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Deklarimet e Daçiqit në takimin ministerial të OSBE-së në Shkup, javën e kaluar, shkojnë përtej retorikës elektorale. Ato janë qëndrime të një politike afatgjate të Serbisë. SHBA dhe BE, mbani shënim”, ka përfunduar Jospeh.

Të ngjashme