Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka biseduar sot në Beograd me Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker mbi miratimin e Strategjisë së Zgjerimit dhe aktivitetet e ardhshme të Serbisë në rrugën e saj evropiane.
Shefja e ekzekutivit serb theksoi se miratimi i Strategjisë së Zgjerimit është një mesazh inkurajues për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Juncker gjatë vizitës në Serbi deklaroi se Bashkimi Evropian nuk mund t’i pranojë ato vende që nuk i kanë zgjidhur reciprokisht mosmarrëveshjet territoriale, transmeton Klan Kosova.
Ai pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, tha se është optimist për rrugën e Serbisë në BE.
Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian do ta vizitojë Kosovën nesër, pikërisht në ditën kur deputetët kosovarë mund ta plotësojnë kushtin për liberalizimin e vizave, ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Presidenti i KE-së do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, transmeton Klan Kosova.