Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u zotua se do të godasë çdo “lajm të rremë” gjatë fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që do të mbahen në maj.
“Nëse qeveritë bëjnë pretendime për Bashkimin Evropian ose Komisionin, të cilat nuk korrespondojnë me të vërtetën, atëherë do të përgjigjemi”, tha Juncker në një intervistë për grupin mediatik Funke të Gjermanisë.
“Unë tashmë kam parë përpjekje për të ndikuar zgjedhjet e Parlamentit Evropian me manipulime, që vijnë nga disa kënde, jo vetëm jashtë BE-së. Edhe shtetet brenda BE-së po bëjnë përpjekje të drejtojnë vullnetin e elektoratit me lajme të rreme”, tha Juncker, duke mos folur me emra konkretë.
Sipas tij, Komisioni “është i përgatitur për t’i luftuar të gjitha”.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga data 23 deri më 26 maj.
Pjesëmarrja në to ka rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, derisa partitë euroskeptike kanë shënuar fitore të mëdha.