Sandro dhe Bernardeschi janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës para ndeshjes me Real Madridin. Por, në “Allianz Stadium” kundër Realit do të mungojnë Pjanic dhe Benatia, kurse Mandzukic ende nuk është stërvitur me skuadrën dhe gjithashtu është në dyshim.
Juventusi dhe Real Madridi do të përballën të martën nga ora 20:45. Alex Sandro, që ishte në dyshim, duket se do të zbresë nga minuta e parë në “Allianz Stadium”.
Ai dhe Federico Bernardeschi janë stërvitur normalisht me skuadrën, edhe pse ky i fundit ende nuk është gati për lojë pas lëndimit të rëndë që pësoi në fillim të këtij viti.
Lajmi tjetër i mirë për Juvën para ndeshjes në Champions League është rikthimi i Juan Cuadrados, që madje shënoi gol në fitoren 3-1 kundër Milanit.
“Zonja e Vjetër” pritet të jetë me tri mungesa për këtë ndeshje.
Mario Mandzukic është në dyshim për ndeshjen me Realin pasi edhe sot nuk është duke u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës dhe “Football-Italia” raporton se kroati vështirë që do t’ia dalë të jetë madje edhe në stol.
Në këtë ndeshje do të mungojnë edhe Miralem Pjanic dhe Medhi Benatia, ata janë të suspenduar.