Juventus-Napoli premton spektakël

Prishtinë | 31 Gus 2019 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Juventusi kërkon t’i tregojë të gjithëve se edhe këtë sezon nuk ka rivalë në kampionat, ndërsa Napoli dëshiron të tregojë se këtë vit do të jenë ata kundërshtari kryesor i bardhezinjve në luftën për titull.

Kampionati nisi me fitore për të dy ekipet. Zonja e Vjetër triumfoi ndaj Parmës, ndërsa Napoli me jo pak vështirësi mori tre pikët në transfertën ndaj Fiorentinës. Janë plot 146 përballje mes këtyre dy klubeve në Serinë A. 68 fitore për Juventusin, 47 barazime dhe 31 fitore në favor të klubit jugor. Statistikat favorozojnë bardhezinjtë, pasi në Torino janë arritur 45 fitore, 20 barazime dhe në 8 sfida të kaltërit janë larguar me 3 pikë.

Ajo që kaloi ishte vetëm java e parë e kampionatit italian dhe pavarësisht rezultatit që arritën të dyja ekipet është e vështirë të përcaktosh gjendjen e skuadrave, ndërkohë dihet që dëshira për të vazhduar rrugën e fitoreve është në të dy kampet. Ka qënë një verë e qetë ajo në radhët e Napolit me një merkato deri diku të vakët, e kundërta mund të thuhet për bardhezinjtë, të cilët e kanë përforcuar ekipin me elementë cilësorë, madje ekipi mund të konsiderohet i mbingarkuar, fakt që është vënë në dukje edhe nga trajneri Sarri. Ky i fundit nuk do të jetë në stol për takimin ndaj ish-ekipit të tij, pasi gjendja shëndëtsore nuk e lejon atë të jetë i pranishëm, por ekziston mundësia që Sarri të jetë në tribunën Vip të Allianz Stadium.

Fakti që një duel i tillë luhet që në javën e dytë, i jep mundësi ekipeve të tregohen më të guximshëm në lojën e tyre, por gjithsesi faktori fushë favorizon kampionët e Italisë dhe në transfertë kundër bardhezinvje Napoli në pjesën me të madhe është larguar me humbje.

Chiellini do të jetë mungesa e madhe e Juventusit në këtë ndeshje por edhe për pjesën më të madhe të sezonit me De Ligt që do të marrë vendin e kapitenit të bardhezinjëve në qendër të prapavijës. Sidoqoftë Juventus-Napoli premton një 90 minutësh që kurrsesi nuk duhet humbur

Të ngjashme